Familjarët e 16-vjeçarit M. Sula, i cili plagosi me thikë 15-vjeçarin K. Suti, ditën e djeshme janë ballafaquar me babain e këtij të fundit. Mesditën e djeshme, dy djem të rinj iu prezantuan babait të K. se kishin shkuar posaçërisht për ta takuar atë si dhe për t’u interesuar për shëndetin e djalit.
“Jemi familjarë të M.”, – i thanë dy djem të rinj babait të 15-vjeçarit, ndërsa i druheshin përgjigjes që do të merrnin. “Kemi ardhur t’ju takojmë dhe të pyesim edhe për gjendjen e djalit tuaj. Ju kërkojmë ndjesë për gjithë këtë që ndodhi. Nëse do të kishim dijeni, pa diskutim që do ta kishim parandaluar diçka të tillë”, – thanë dy djemtë.
Ndërsa, babai i të plagosurit, edhe pse dukej tepër i shqetësuar për gjendjen e të birit, është treguar tepër i mikpritur me ta.
“Nuk kanë faj prindërit në këtë rast. E sidomos kur nuk dinë gjë se dy fëmijë grinden”, – ka thënë ai. E teksa dy të afërmit e autorit po largoheshin nga ambientet e Spitalit Ushtarak, ku 15-vjeçari qëndron i shtruar, i thanë babait të tij se e ndjejnë detyrim ndihmesën ndaj tyre.
“Kjo që ju ndodhi juve mund të na kishte ndodhur edhe neve. Na vjen me të vërtetë shumë keq dhe nuk kemi fjalë të themi. E ndjejmë detyrim t’ju ndihmojmë. Kemi ardhur edhe dje (pardje) për t’ju takuar dhe për t’u interesuar për djalin. Ju e keni numrin tonë të telefonit dhe mund të na telefononi në çdo kohë. Do t’ju gjendemi pranë si në spital ashtu edhe në shtëpi”, – kanë pohuar ata më tej./BW/a.m.