Procesi i numërimit të votave në Tiranë po shkon drejt fundit dhe tashmë është e qartë se Erion Veliaj është kryebashkiaku i ri i Tiranës.
Kur kanë mbetur rreth 5 % e votave pa u numëruar, kandidati i Aleancës për Shqipërinë Europiane ka arritur të krijojë një diferencë të madhe, më shumë se 41 mijë vota, ndaj kandidatit të APPD-së, Halim Kosova. Dhe në këtë mënyrë është e pamundur që matematikisht rezultati të përmbyset.
Sakaq, më shumë se 15 mijë vota kanë shkuar për Gjergj Bojaxhi, kandidatin e pavarur. E përkthyer në përqindje, Bojaxhi ka siguruar deri më tani mbështetjen e 5.36 % të qytetarëve që kanë votuar.
Ndërkohë kanë rezultuar më pak të votuar Sazan Guri, me 1.1%, Arben Tafaj 0.66%, ndërsa kandidati i PKD, Dhimitër Muslia ka marrë rreth 0.3 të votave.
Aktualisht po vazhdohet me numërimin e 37 kutive të fundit nga 864 gjithsej dhe kryeqytetasit kanë mësuar emrin e kryetarit të bashkisë më të madhe në vend.