Gjendja e Tomas Strakoshës, menjëherë pas vërshëllimës së trefishtë në “San Siro”, ishte një përzierje e kënaqësisë dhe mërzisë. Milani mposht Lazion në ditën e debutimit të tij në Serinë A, ndërsa këto janë ndjesitë e tij për mikrofonët e “Lazio Style Channel”:
“Jam i kënaqur për debutimin, por sot (dje) kishte vlerë rezultati dhe sigurisht që nuk jam i lumtur. Falënderoj trajnerin dhe klubin që besoi tek unë. Kjo ishte një ndeshje me shumë emocione, por kur humbet nuk të mbetet aspak shije e mirë. Duhet të punojmë e të shohim përpara. Kemi një trajner që ka shumë dëshirë, gabuam shumë gjatë ndeshjes, por jemi një ekip i madh. Kam folur me familjen për ndeshjen, ishin vërtet të lumtur. Babai im kishte më shumë stres për mua sesa kur luante vetë. Ndeshja ime më e vështirë? Ajo e mendjes. Jam i kënaqur për ndeshjen time të parë, por i zhgënjyer nga rezultati”.
Portieri i Kombëtares kuqezi u pyet dhe nga kronistët prezentë në zonën miks: “Më vjen keq për humbje sepse nuk e prisja. Për ndeshjen time të parë shpresoja një rezultat më të mirë. Tani të ecin përpara dhe të shohim ndeshjen tjetër. Më vjen mirë që klubi më konfirmoi. Portier i dytë? Jam i lumtur që luajta, unë mendoj vetëm për të punuar dhe të jem në gjendje të mirë”.
BW/d.i.