Instituti i Sigurimeve Shoqërore është ende duke përllogaritur masën e pensionit për pensionistët që përfitojnë nga Vendimi i Këshillit të Ministrave “Për ngushtimin e diferencave të pensioneve”. Në këtë vendim preken pagesat e pleqërisë të atyre qytetarëve që kanë dalë në pension në periudhën 1 tetor 1993 deri më 31 dhjetor 1996. Sipas specialistëve të ISSH-së, një pjesë e këtyre kategorive që përfitojnë pagesat kanë nisur t’i marrin këtë muaj, ndërkohë që sqarojnë se ata që nuk e kanë përfituar ende diferencën, do ta përfitojnë në muajin në vijim.
“Përllogaritja e këtyre pensioneve është një proces që ka nisur që në muajin qershor kur është miratuar VKM-ja. Por nuk ka përfunduar ende 100% e punës, pasi dosjet duhet të shikohen një më një. Veç kësaj ka edhe transferime të cilat kërkojnë më shumë kohë. Pra si proces përllogaritjeje nuk ka përfunduar ende. Por çdo individ që përfiton nga Vendimi i Këshillit të Ministrave ‘Për ngushtimin e diferencave të pensioneve’ diferencën, pra pagesën, edhe pse nuk e merr tani, do ta marrë në muajit në vijim së bashku me pagesën e muajve të mëparshëm. Sepse efektet financiare nisin që më 1 qershor 2016, pavarësisht faktit se kur i përfundon përllogaritja një dosjeje”, sqarojnë për “GSH”, specialistët e ISSH-së. Po ashtu, ata sqarojnë se përfitues janë edhe ata persona që në këtë periudhë kanë marrë pension të parakohshëm.
“Dy janë kategoritë e pensionistëve që përfitojnë nga ky vendimi edhe pse kanë pension të parakohshëm: arsimtarët femra si dhe minatorët. Pra përfitojnë rritje pensionet e parakohshme nga 1 tetori 1993 deri më 1 janar 1994, si dhe kategoria tjetër janë minatorët që kanë dalë me pension të parakohshëm në ’95-ën”, sqarojnë specialistët, duke shtuar se “nëse ende nuk e kanë përfituar rritjen, do ta përfitojnë në muajin tetor”.
VENDIMI
Vendimi i qeverisë, i cili u miratua në qershor 2016, i ndan përfituesit në 6 kategori të ndryshme, e më konkretisht: 1 tetor deri në 31 dhjetor 1993, 1 janar deri në 30 shtator 1994, 1 tetor 1994 deri në 30 prill 1995, 1 maj deri 30 shtator 1995, 1 tetor 1995 deri në 31 mars 1996 dhe 1 prill deri në 31 dhjetor 1996.
Sa i takon masës mesatare të përfitimit, 10.355 vetë që kanë dalë në pension pleqërie në harkun kohor 1993-1996, do të përfitojnë rritje me një shumë mesatare prej 8.400 lekësh të vjetra në muaj; 500 ish-ushtarakëve iu rritet mesatarisht 5.000 lekë në muaj; ndërsa 8.800 minatorë dhe arsimtarë, që kanë kaluar tashmë në pension të plotë pleqërie, përfitojnë një shtesë mesatare që arrin deri në vlerën e 40 mijë lekëve të vjetra në muaj. Shtimi për këto kategori do të bëhet me shuma fikse, duke çuar në një masë pensioni jo më të ulët se 14.085 lekë. Ndërkohë që, një pjesë e përfituesve, me vendimin e ri të qeverisë do të arrijnë të marrin pension pleqërie që kap vlerën e 23.640 lekëve. Përveç pensioneve të caktuara nga viti 1993-1996, edhe pensionet e parakohshme të pleqërisë të punonjësve të nëntokës dhe ato të grave të punësuara në arsim dhe kulturë, kur llogariten si pensione të plota. Sipas të dhënave të bëra publike nga ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, në total janë 19.655 përfitues, të cilëve rritja do u llogaritet nga data 1 qershor, edhe pse një pjesë ende nuk e kanë marrë shtesën.
“Gazeta Shqiptare” publikon sot rritjet konkrete për çdo kategori, të cilat i gjeni në tabelën bashkëngjitur shkrimit në print në numrin e sotëm.
Më konkretisht, në tabelë ju gjeni masën konkrete të pagesës në kohën kur keni dalë në pension, ndërsa në kolonën tjetër gjeni masën pas rritjes. Për shembull, një pensionist që ka dalë në pension në harkun kohor 1 tetor 1993 deri në 31 dhjetor 1993 dhe që në atë kohë merrte 1.401 lekë, me rritjen e fundit, pensioni i shkon 14.085 lekë. Po ashtu, një pensionist që në këtë hark kohor i ishte caktuar pensioni 2.142 lekë, me rritjen e fundit do të marrë 20.683 lekë. E njëjta logjikë vlen për të gjithë ata që përfitojnë këtë rritje. Për zbatimin e këtij vendimi, për vitin 2016 nevojiten 324 100 000 lekë, të cilat do të përballohen nga rezultati pozitiv financiar i Institutit të Sigurimeve Shoqërore për vitin 2015.
BW/d.i.