Garat zgjedhore brenda partive politike shqiptare kanë qenë prej vitesh formale dhe butaforike. Krerët tradicionalë s’e kanë pasur asnjëherë të vështirë të zgjidhen përballë “sfiduesve” të minutës së fundit, të cilët kanë dalë në fund të procesit me pak qindra vota. Ndoshta bën përjashtim këtu gara mes Bashës dhe Olldashit në vitin 2013, megjithëse edhe aty fituesi dihej qysh në krye të herës.
Nga kjo traditë nuk bën përjashtim as gara për kreun e LSI. Më shumë mund të besohet se Shqipëria do të goditet nga një kometë pas dy javësh, sesa që Ilir Meta do të rrëzohet nga posti që mban që nga viti 2004, nga Shezai Rrokaj. Kjo situatë ka pak gjasa të ndryshojë edhe në orët e fundit, kur në garë u mor vesh se po futet edhe deputeti i Dibrës Përparim Spahiu.
Ajo që e bën disi të veçantë, por edhe të habitshme e qesharake futjen e zotit Spahiut në garën për kreun e LSI, është motivacioni që ai vetë thotë se e ka shtyrë që të kandidojë. “Vendosa sot të kandidoj për kryetar të LSI-së. Nuk mund të vazhdojmë më kështu, shumë gjëra duhet t’i ndryshojmë në bashkëqeverisjen..!!!”
Pra Spahiu hyn në garë sepse nuk mund të durojë dot më situatën brenda koalicionit të majtë. Nuk ka ndonjëm mendim për gjendjen në LSI, por merakoset vetëm për qeverisjen e madhe!!! Në këto kushte, atij duhet t’i sqarohet se kjo garë nuk është për kreun e maxhorancës dhe as për fatet e saj, por për postin e kryetarit të LSI. Apo mos ndoshta Spahiu po bën edhe një herë tjetër rolin e “mesazherit të kriptuar”, në emër të “rivalit” për kryetar Ilir Meta?!