Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein, duke komentuar zgjedhjet në Shqipëri deklaroi se, e diela ishte një ditë e mirë për vendin tonë.
Sa i përket plotësimit të testit për hapjen e negociatave, ai tha se do të pritet fundi i të gjithë procesit, për të nxjerrë konkluzione të tilla.
“Përgjithësisht ishte një ditë e mirë për Shqipërinë. Rregullat për zgjedhjet ishin përcaktuar mirë, por në zbatim, mbase ka pasur disa gabime, siç u shpreh edhe ODIHR. Tani do të shohim se cili do të jetë rezultati’, tha Flenckenstein në një prononcim për Top Channel.
Fleckenstein shpreson se Shqipëria e ka kaluar testin për këto zgjedhje. “Vetëm në përfundim mund t’i jepet përgjigje kësaj pyetjeje dhe fundi ka të bëjë edhe me mënyrën e trajtimit të akuzave tani; për atë çfarë thonë OSBE-ODIHR mbi ndryshimet që duhen bërë, apo korrektimet e mundshme. Por, unë mendoj se ka një mundësi të mirë, që të jetë përmbushur formalisht çfarë është përmendur”, raportuesi Fleckenstein.
Fleckenstein thekson se do të vijë në fund të shtatorit ose në fillim të tetorit në Shqipëri dhe shtoi ai, “mesazhi kryesor në këtë vizitë do të jetë, përfshini sa më shumë shoqërinë civile në këtë proces, sepse rruga drejt Bashkimit Europian nuk është vetëm për politikanët, por dhe për shoqërinë civile e qytetarët. Janë ata, që duhet ta ndiejnë se kjo është një rrugë e mirë dhe e duhur. Prandaj, nuk do të kem vetëm takime me politikanë, por dhe me Dhomën e Tregtisë, universitetet e kështu me radhë”. /ATSH/