PS-LSI janë “përplasur” sot në komisionin e sigurisë ku pritej të diskutohej dekreti i Presidentit Bujar Nishani për ligjin e sigurisë publike. Ndërsa deputeti demokrat Flamur Noka ka kërkuar të dijë përmirësimet që i janë bërë ligjit pas kthimin nga presidenti, relatori i draftit, deputeti socialist Pjerin Ndreu ka kërkuar kohë dhe shtyrjen e mbledhjes pasi nuk i di ndryshimet. Por kjo gjë nuk është mirëpritur nga kreu i komisionit të sigurisë, Spartak Braho, i cili nuk ka pranuar të shtyhet. Mes Brahos dhe Ndreut ka pasur replika dhe fyerje.
Ndërsa më pas mbledhja është ndërprerë për të rinisur në orën 12. Por pas mbylljes së mbledhjes, deputeti Noka e ka quajtur atë çfarë ka ndodhur në komision një “çorbë qensh” dhe tha se pas këtij projektligji fshihen interesa madhore qindra miliona euro tendera dhe për koncesione kamerash.
DEBATET
Flamur Noka: Përfaqësuesit e ministrisë të tregojnë çfarë kanë përmirësuar ne ligj pasi e ktheu presidenti
Pjerin Ndreu: Unë si relator nuk di ndryshimet kërkoj që komisioni të shtyhet. Jam oficer policie i tërheq vëmendjen komisionit. Nuk diskutoj duke mos ditur asnjë rresht. Nuk na është dhënë asnjë material. Kërkoj të shtyhet për nesër
Spartak Braho: Nesër është vonë sepse të enjten është në seancë
Braho, Ndreut: Qenke keq sot
Ndreu: Jo jam shumë mirë por ju nuk jeni në rregull
Asllan Dogjani: Shqipëria në emergjencë për kanabisin. Të vihen kamera edhe në ato parcela. Jam për shtyrje të komisionit
Braho: Mos bëni sikur keni ardhur sot në parlament. Bëni propozime këtu në tavolinë. Mund ta shqyrtojmë për sa kohë ju duhet.
Paulin Stërkaj: Për një profesionist 30 minuta mjaftojnë për t’u njohur me ndryshimet
Piro Lutaj: Flamur ti je bërë polic pa qenë. Unë nuk bëhem. Unë si sekretar komisioni them se kemi bërë refleksione në ligj. Kemi marrë parasysh sugjerimet e presidentit
Lutaj: Ta shtyjmë mbledhjen për në orën 12:00.
Ndreu: Është shkelje pse nuk keni njoftuar relatorin. Kjo është jokorrekte. Nuk e ngre dorën kot qorrazi
Braho: Përgjegjësia është e imja. Por ndoshta ti nuk ke lënë gjurme si relator
Ndreu: Nëse mendon këtë, unë heq dorë nga relatimi dhe iki nga mbledhja se si kërkoj leje kujt
Braho: Do kërkosh se më ke mik të vjetër.
NOKA: PAS KËTIJ LIGJI INTERESA TENDERASH MILIONA EURO, SHKELEN TË DREJTAT E NJERIUT
Pas ndërprerjes së mbledhje PD ka deklaruar se nuk do të kthehet në orën 12. Deputeti Flamur Noka akuzoi maxhorancën për pazare me projektligjin e sigurisë pubolike dhe tha se fshihen interesa miliona euro.
“Ajo që patë sot në mbledhjen e komisionit të sigurisë ishte një çorbë qensh e përgatitur nga maxhoranca. Ju patë se komisioni ishte i painformuar dhe një përpjkje tinëzare për shmangur nga ky pazar ministrin e brendshëm, i cili që është kryepazarxhiu i kësaj historie. U tha që janë marrë në konsideratë vërejtjet e presidentit, u tha që është përmirësuar ligji por nuk u thanë arsyet pse me kaq urgjencë dhe nuk sqaruan deputetët edhe të maxhorancës se pse nuk janë njoftuar për këto ndryshime dhe për projektligjin e sotëm. Sot ishin mbledhur deputetët për një çështje tjetër dhe me urgjencë pas pazareve të Roskovecit, u zhvillua kjo seancë e turpshme. Pas këtyre ndryshimeve dhe pas këtij projektligji fshihen interesa madhore qindra miliona euro tendera dhe për koncesione kamerash. Fshihet një tentativë për të shkelur me të dyja këmbët liritë dhe të drejtat e njeriut. Ky komision tregoi që kjo maxhorancë është shndërruar në një çorbë qensh”, deklaroi Noka.
BW/d.i.