Shqipëria renditet në vendin e 42, nga pozicioni i 62, që ishte në raportin e mëparshëm, duke marrë 7.4 pikë nga 10 pikë të mundshme. Në këtë indeks përfshihen pesë kategori në shqyrtim si Madhësia e Qeverisë, Struktura Ligjore ku përfshihet sistemi i drejtësisë dhe mbrojtja e së drejtës mbi pronën, paratë e pastra, lehtësia e tregtisë ndërkombëtare dhe legjislacioni.
Treguesit me përmirësim më të madh ishin lehtësia në tregtinë ndërkombëtare, ku Shqipëria është përmirësuar me 35 vende dhe legjislacioni, ku vendi ynë është ngjitur me 48 vende. Ecurinë më negative e ka pasur në treguesin e madhësisë së qeverisë, ku vendi është përkeqësuar me 20 pozicione, raporton Monitor.
Për kategorinë e madhësisë së qeverisë përkeqësimi ka ardhur nga nënkategoria mbi diferencat në normat e taksimit, ku ka rënë treguesi mbi diferencën në normën e taksimit mbi të ardhurat dhe tatimi mbi pagat(4 pikë nga 7 pikë që ka qenë një vit më parë), si rrjedhojë e kalimit në vitin 2014 në tatimin progresiv dhe rritjen e tatim fitimit nga 10 në 15%.
Kategoria e legjislacionit, ku përfshihet rregullimi i tregut të punës dhe i biznesit është ndikuar në rritje në renditje nga përmirësimi i legjislacionit mbi punësimin dhe heqjen nga puna të punonjësve, si dhe të marrëveshjeve kolektive.
Kategoria e Lirisë së Tregtisë Ndërkombëtarë është përmirësuar(8.07 nga 7.54 që ka qenë një vit më parë) nga ulja e barrierave të tregtisë ndërkombëtare, ndërsa tarifat doganore kanë mbetur konstante.
Shqipëria treguesit më të dobët i ka në kategorinë e sistemit ligjor dhe të të drejtave mbi pronën (renditet e 107 në botë), ku përmblidhen pavarësia e gjyqësorit, integriteti i sistemit ligjor dhe paanshmëria e gjykatave. Ky tregues është përmirësuar lehtë duke shënuar 4.8 pikë nga 4.6 të një viti më parë.
Treguesi më pozitiv në renditje është ai i parasë së shëndetshme, në vendin e 19 në botë, ndonëse në përkeqësim me 7 vende në raport me vitin e mëparshëm. Vende të tjera të rajonit që kanë përmirësuar Indeksin e Lirisë Ekonomike janë Rumania dhe Mali i Zi, ku renditen përkatësisht 22a nga 24 që ishte një vit më parë dhe e 59a nga 70a. Ndërsa vendet e tjera kanë pasur një renditje më të ulët krahasuar me një vit më parë.
ma.me