Mbledhja e djeshme e grupit parlamentar socialist ka qenë e përqendruar vetëm tek projektligji i importit të mbetjeve që pritet të votohet këtë të enjte. Argumentet pro dhe garancitë që ka dhënë një nga deputetët nismëtarë Eduard Shalsi, nuk e kanë bindur Arta Daden. Kryetarja e Komisionit të Jashtëm ka thënë se ky është një risk elektoral që Partia Socialiste po merr dhe për këtë arsye ka propozuar që këtë heqje moratoriumi, PS ta bëjë në vitin e parë të qeverisjes së mandatit të dytë. Por kryeministri Rama i cili ka ndërhyrë menjëherë pas kundërshtisë së saj, ka thënë se kompanitë e përpunimit dhe riciklimit janë në prag falimenti dhe një gjë e tillë do të ndikonte drejtpërdrejt në pastërtinë e ambientit pasi s’do të kishin ku të përpunoheshin. Mes debateve dhe diskutimeve, Eduard Shalsi ka ndarë dhe argumentin ekonomik se do të investohen mbi 130 milionë euro nga industria e riciklimit, dhe pritet të fuqia punëtore të shtohet me 10 mijë persona.
Debati me dyer të mbyllura në grupin e PS:
Eduard Shalsi: Siç jeni në dijeni unë bashkë me Ervinin dhe kolegun e LSI-së, Dervenin kemi depozituar një projektligj për menaxhimin e mbetjeve. Natyrisht që ka dhe amendime mbi projektin tonë dhe të gjitha këto së bashku janë parashikuar të votohen këtë të enjte. Është një nismë delikate dhe natyrshëm ka dhe do të ketë debat qoftë edhe mes nesh. Ajo që dua të ndaj sot me ju, është se qoftë privatisht, qoftë edhe në punën e Komisionit që drejtoj, jam vënë në kontakte dhe në konsulta edhe me grupet e interesit dhe ambientalistët. Këta të fundit, duke e parë ligjin siç ne kemi propozuar të ndryshohet janë shprehur në mbështetje. E vërtetë është që ne kemi qenë kundër këtij neni. Por propozimi ynë është ndryshe nga ai vitit 2013. Në këtë rast nuk do të importohen mbetjet e djegshme dhe të rrezikshme. Kjo ndërhyrje vjen si nevojë e grupeve të interesit të cilët janë në prag të falimentit. Argumentet pro dhe kundër janë sa të duash. Ajo që dua t’ju siguroj se ky çlirim i kontrolluar i importit do të jetë një prurje e lartë për ekonominë. Është parashikuar që industritë e përpunimit të investojnë 130 milionë euro dhe niveli i punësimit nga kjo hapje të arrijë në 10 mijë punonjës. Nuk do të importohet asnjë mbetje e djegshme në Shqipëri, vetëm lëndë të riciklueshme. Nuk ka asnjë risk që Shqipëria të kthehet në një kazan mbeturinash.
Mimi Kodheli: Unë nuk dua të shprehem për përmbajtjen e këtij ndryshimi, por dua t’ju kërkoj që të jemi të kujdesshëm që objekt i këtij ligji të mos jetë veprimtaria e Ministrisë së Mbrojtjes, e cila për objekt të punës së saj, kryen pastrime dhe përpunime për pastrimin nga mbetjet e municioneve, etj. Duhet të ndalohet në mënyrë kategorike futja e materialeve ushtarake të riciklueshme që deri tani bëhen vetëm me kontrollin e ministrisë sonë.
Besnik Baraj: Unë kam qenë një nga nismëtarët e ligjit të kundërt në vitin 2013 kur kërkuan dhe arritëm të shfuqizonim ligjin e importit. Por nga atëherë deri tani gjërat kanë ndryshuar. Doganat tona janë më të afta dhe kontrolli kufitar është më i sigurt. Në këto kushte, doganat tona kanë kapacitet për të bërë me saktësi diferencimin mes mbetjeve të cilat janë të rrezikshme dhe cilat jo. Në ditët e sotme, sistemi ynë doganor mund të bllokojë me sukses mbetjet që nuk janë të lejueshme sipas këtij ligji që ne duam të miratojmë. Ajo që ne duhet të ndryshojmë dhe për këtë duhet të ndërhyjë Ministria e Financave, ka të bëjë me një taksë të pa kuptimtë, që nuk ekziston, jo në botë, po as në rajon. Për çdo kilogramë kanaçe të grumbulluar, grumbulluesi paguan një taksë prej 500 lekësh. Ky është një nonsens që dekurajon mbledhjen e mbeturinave nga rrugët dhe ambientet tona. Nuk e ka as Maqedonia, as Greqia, asnjë nga vendet fqinje. Duhet hequr që të inkurajojë vetëpastrimin e ambienteve tona dhe që të motivohen dhe mbledhësit dhe pikat e grumbullimit.
Arta Dade: Ne jemi këtu brenda një grupi dhe nuk po ja arrijmë të qartësohemi dhe të bindemi për efektet e ligjit. Imagjinoni reagimin që ka ky ligj tek njerëzit e thjeshtë. Ju mund ta kuptoni që nga ky ligj ne mund të marrim një kosto elektorale të konsiderueshme. Pse nuk shihet mundësia që ne ta bëjmë këtë ndërhyrje në vitin e parë të mandatit të dytë? Pse tani që jemi para zgjedhjeve, në vitin e fundit të këtij mandati? Ne kemi ndërmarrë shumë reforma që kanë pasur efektet e veta dhe që për të bindur qytetarët për efektet pozitive na është dashur shumë punë dhe komunikim i zgjeruar. Për mendimin tim ky është një veprim i nxituar.
Edi Rama: Të gjitha parashtrimet që u bënë këtu ishin të drejta. Është e vërtetë që jemi tërhequr nga ajo që votuam në vitin 2013. Në fakt, moratoriumi që votuam atëherë ishte veprimi i duhur, por tani gjërat kanë ndryshuar dhe ligji i vitit 2013 nuk është njëlloj me atë që po kërkojmë të bëjmë ne sot. Në vendin tonë funksionojnë disa industri të përpunimit të mbetjeve që janë në prag falimentimi. Ata kanë marrë kredi dhe tani nuk po ja dalin. Jo se ne kemi përgjegjësi direkte për të mos lejuar një apo dy kompani për të falimentuar, por se puna e tyre lidhet direkt me pasoja në ecurinë tonë. Falimenti i tyre do të ishte një goditje direkte për punësimin, pasi qindra njerëz që aktualisht punojnë aty, do të ngelen pa punë. Po ashtu, nëse kompanitë falimentojnë ne rrezikojmë të mbytemi nga plehrat, sepse procesi është zinxhir. Nëse fabrika nuk përpunon, ai që i grumbullon nuk ka ku i depoziton. Ne nuk mund të rrimë dhe të bëjmë sehir se si na kanoset një rrezik i madh. Rrisqet sigurisht që janë prezente. Ama struktura e sotme doganore ka mundësi kontrolluese shumë më shumë sesa vitet e mëparshme. Ne do të përcaktojmë përmes VKM-ve që vetëm 3 pika kufitare të mund të pranojnë hyrjen e mbetjeve. Këto pika do të jenë të specializuara për të njohur mbetjet e rrezikshme duke kontrolluar se çfarë futim brenda. Po ashtu, të drejtën e importit nuk do ta ketë kushdo. Vetëm kompanitë që përpunojnë dhe kanë industrinë e përpunimit mund të importojnë mbetje nga jashtë. Po ashtu, garanci e rëndësishme është fakti që nga dogana deri në përpunim dhe riciklim ne do të vendosim një sistem të fortë monitorimi për të ndjekur të gjithë rrugën që do të përshkojnë mbetjet. Kjo është një garanci.
Bledi Klosi: Dhe unë si Besniku në vitin 2013 firmosa për moratoriumin, por sot jemi në kushte të reja. Ndaj ne duhet ta mbështesin nismën dhe të gjykojmë për kushtet që jemi.
Valentina Leskaj: Ky proces hap shumë debat dhe si i tillë duhet shoqëruar me transparence që kolegët deputetë dhe qytetarët të mos krijojnë keqkuptime dhe të jenë të qartë se çfarë po ndodh me të vërtetë.
Gramoz Ruçi: Siç u parashtrua nga propozuesi por edhe nga kryeministri, jemi të detyruar ta votojmë një ligjin si një nevojë sipas situatës. Ashtu si ndajmë në këtë grup mendime të ndryshme, debati me opozitën por edhe me qytetarët do të jetë i madh. Ne duhet të jemi të gatshëm që të përballemi me këtë debat dhe tu shpjegojmë të enjten të gjithëve atë që po ndodh dhe çfarë parashikon ligji. Të enjten të marrim pjesë në diskutime, të mos mungojmë dhe të argumentojmë nismën.
shqiptarja.com/d.i.