Problematika e konsumimit të gjyqtarëve lë në “vendnumëro” dosjen e anëtarëve të akuzuar si pjesë e organizatës kriminale “Hakmarrja për drejtësi”. Çështja duket e bllokuar në Gjykatën e Apelit për Krimet e Rënda. Tre nga anëtarët e trupit gjykues në Apel kërkuan dje të hiqnin dorë nga çështja, me pretendimin se kishim papajtueshmëri ligjore, shkruan “Panorama”.
Të gjithë anëtarët ishin të konsumuar në gjykimin e parë të themelit të dosjes, si edhe me kërkesat e të pandehurve gjatë gjykimit. Për këtë shkak u nevojit ndërhyrja e Këshillit të Lartë të Drejtësisë për delegimin e pesë gjyqtarëve. Në mbledhjen e 8 korrikut 2016, KLD-ja vendosi delegimin e pesë gjyqtarëve të Apelit Tiranës në Apelin për Krimet e Rënda për shqyrtimin e dosjes.
Problematika në dukje e kaluar është rishfaqur në seancën e djeshme në Apelin e Krimeve të Rënda. Burime pranë gjykatës pohuan se gjyqtarët Agim Bendo, Zamir Poda dhe Fatos Qato kanë kërkuar të heqin dorë nga pjesëmarrja në pesëshen gjykuese. Ata kanë pretenduar se janë në konflikt interesi, për shkak se kanë qenë pjesë e trupave që kanë shqyrtuar kërkesa të mëparshme të të pandehurve të procesit.
Situata e krijuar duket se do të pengojë zhvillimin normal të procesit. Kjo për shkak se plotësimi i pesëshes duhet të bëhet përmes një tjetër vendimmarrjeje të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Nga ana tjetër, gjykimi në Apel pritet të vonohet edhe për procedurën e njoftimit të të pandehurve.
Pjesa më e madhe e tyre janë azilantë në Zvicër dhe Belgjikë, çka do të sjellë nevojën e investimit të gjykatës me anë të letërporosive për njoftimin për gjykimin. Të pandehurit e kësaj dosjeje janë Orik Shyti, Altin Arapi, Gentian Caka, Nikolin Novruzaj, Roland Shyti, Leart Shyti, Kreshnik Spahiu, Pasho Novruzaj, Gëzim Gjoni dhe Dritan Hate.
“HAKMARRJA”
Prokuroria për Krimet e Rënda pretendon se dhjetë të pandehurit e “Hakmarrjes për drejtësi” janë autorë të një sërë krimesh të dhunshme në periudhën 1992-1996. Ata kanë pasur një përballje gati prej dy dekadash me drejtësinë, nga Shkalla e Parë deri në Gjykatën Kushtetuese.
Vendimi i fundit për këtë dosje u shpall në 9 mars në Gjykatën e Lartë, e cila prishi vendimin e Apelit të Krimeve të datës 9 korrik 2009 dhe e ktheu dosjen për rigjykim po në këtë gjykatë. Në vendimin e zbardhur Kolegji Penal arsyetonte se Apeli për Krimet e Rënda kishte kryer një sërë shkeljesh proceduriale.
“Në rigjykimin e çështjes Gjykata e Apelit i del si detyrë që të riçelë hetimin gjyqësor dhe të bëjë një vlerësim tërësor të të gjitha akteve procedurale të fazës së hetimit dhe ato të gjykimit, duke e bazuar vendimmarrjen vetëm në provat të cilat janë marrë në përputhje me ligjin. Është e rëndësishme që në kushtet kur nga ky Kolegj janë konstatuar se në fazën e hetimit paraprak janë lejuar shkelje të rënda proceduriale, të cilat kanë sjellë si rezultat pavlefshmëri ose papërdorshmëri të akteve procedurale, të cilat përbëjnë burim të provave gjatë fazës së hetimit, ato duhet të përjashtohen si prova kundër të gjykuarve”, arsyetonte Gjykata e Lartë.
ma.me