“Jemi një dyqan i vendosur në zemrën e Cape Breton, ishull i pasur me vende pune, tokë e potencial, por jo në njerëz”.
Kështu nis letra e publikuar në Facebook nga Heather e Sandee, vajzat e një fshatari që është pronar i dyqanit “The Farmer’s Daughter Country”, në fshatin Whycocomagh në Cape Breton, ishull i provincës kanadeze Nova Scotia, në bregun e Atlantikut.
Në kërkim të punonjësve, përveç vendit të punës kanë premtuar edhe disa akra tokë në përdorim për cilindo që është i gatshëm të transferohet atje për të paktën pesë vjet.
Oferta u drejtohet njerëzve që kërkojnë “një jetë të thjeshtë, pranë natyrës, në një vend ku ende besohet tek e ngrëna së bashku dhe piknikët e përjavshëm me muzikë. Nuk mund të japim shumë pará, por mund t’ju propozojmë jetë të bukur”.
Thirrjes së vajzave i janë përgjigjur mijëra persona dhe disa prej tyre tashmë kanë vendosur të shkojnë e të provojnë aventurën në natyrën e bukur kanadeze.
Kush është i interesuar mund të kontaktojë në faqen e dyqanit në Facebook.
Cape Breton është ishulli që në mënyrë provokative ftoi gjithë amerikanët “që ia mbathin nga Donald Trump” për t’u transferuar atje.
d.i.