Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila shfuqizoi gjobat ndaj biznesit, ministria e Financave ka hartuar një nivel më të ulët se penalitetet e mëparshme, në ndryshimet e fundit të ligjit të procedurave tatimore, i cili pas diskutimeve të shumta me bizneset, ka marrë variantin përfundimtar.
Në draftin e ri të ligjit “Për procedurat tatimore”, moslëshimi i kuponit tashmë ka gjobë 50 mijë lekë, nga 500 mijë që propozohej në variantin e mëparshëm dhe në rast përsëritje, aktiviteti bllokohet për 30 ditë dhe në rast përsëritje të vazhdueshme, konsiderohet evazion tatimor.
Për mosdeklarimin e punonjësve, biznesi i vogël merr gjobë 50 mijë lekë dhe i madhi 200 mijë lekë. Në ligjin e shfuqizuar nga GJK për biznesin e madh gjoba ishte 500 mijë lekë.
Masat janë zbutur edhe në rastet kur kapet malli i pashoqëruar me faturë tatimore, ku nuk parashikohet bllokim malli, por biznesi i vogël kalon si tatimpagues i TVSH-së, ndërsa biznesit të madh i bëhet rivlerësim, ndërsa në të dy rastet gjoba është sa 100% e tatimit të deklaruar, përveç tatimit dhe kamatëvonesave.
Sipas p/ligjit të propozuar, tatimpaguesi, i cili nuk dorëzon në afatin e përcaktuar sipas ligjit përkatës, deklaratën tatimore, për të cilën detyrohet sipas ligjit të deklarojë, dënohet me gjobë për çdo deklaratë tatimore të padorëzuar në afat, konkretisht: 10 000 lekë për tatimpaguesit e tatimit mbi fitimin; 5 000 lekë për tatimpaguesit e tjerë.
Ndërsa, mospagimi në afat i kësteve paraprake të tatimit mbi fitimin ose kësteve paraprake të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin, dënohet me gjobë në masën 10% të shumës së këstit për t’u paguar.
Ligji parashikon që nëse nga verifikimi dhe kontrolli në vendndodhjen e biznesit rezulton se tatimpaguesi nuk ka deklaruar në organin tatimor çdo të punësuar rishtazi, të paktën një ditë kalendarike përpara fillimit të punës, përveç detyrimit për pagimin e shumës së detyrimeve tatimore dhe kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, të llogaritura nga data e konstatimit, dënohet me gjobë për çdo punonjës të padeklaruar. Për tatimpaguesit e regjistruar si subjekte të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar dhe tatimit mbi fitimin, me gjobë prej 200 000 (dyqind mijë) lekë; b) tatimpaguesit e tjerë, me gjobë prej 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë.
Kjo gjobë nuk aplikohet në rastin kur nga verifikimi dhe kontrolli në vendndodhjen e aktivitetit të personit fizik të vetëpunësuar, evidentohen persona mbi 16 vjeç, të cilët kategorizohen si persona të papaguar të familjes.
Nëse nga verifikimi dhe kontrolli rezulton se tatimpaguesi ka fshehur dhe nuk ka deklaruar pagën e saktë të përfituar nga punëmarrësi, dënohet me gjobë në masën 100% të detyrimit dhe kontributit të llogaritur.
Tatimpaguesit persona fizikë apo juridikë, tregtarë, që kryejnë ndërmjet tyre transaksione shitje apo blerje me para në dorë, jo në përputhje me përcaktimin e pikës 1, të nenit 59 të këtij ligji, dënohen me gjobë në masën 10% të vlerës së secilit transaksion.
Për tatimpaguesin që mban në ruajtje, përdor ose transporton mallra të pashoqëruara me dokumente tatimore, në përputhje me dispozitat e këtij ligji, aplikohen masat dhe dënimet si më poshtë: Tatimpaguesi i Tatimit të Thjeshtuar të Fitimit, të cilët nuk janë të regjistruar për TVSH-në, menjëherë në momentin e konstatimit i ndryshohet përgjegjësia tatimore duke kaluar si tatimpagues i TVSH-së.
Tatimpaguesi i regjistruar për TVSH-në, detyrohet të dokumentojë mallin duke lëshuar faturë tatimore. Për qëllim të konstatimit të mosdokumentimit të mallit i kryhet rivlerësim i shitjeve në të njëjtën vlerë me vlerën e tregut të mallit të padokumentuar dhe aplikohet dënim 100% të shumës së detyrimit./Monitor.al/a.k