Ekonomia shqiptare ka thithur më shumë investime në 3-mujorin e dytë të këtij viti në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Banka e Shqipërisë, bën të ditur se rritja më e madhe e fluksit, vërehet në sektorin e energjetikës, hidrokarbureve, ndërtimit dhe telekomunikacionit.
Ndërkohë që projekti i gazsjellësit TAP i cili tashmë ka nisur punimet, duket se është edhe kontribuesi kryesor në rritjen e nivelit të investimeve të huaja në Shqipëri.
Sipas aktivitetit ekonomik, stokun më të lartë të Investimeve të Huaja Direkte (IHD) në fund të 3-mujorit të dytë 2016 e zë sektori i “Energjitikës”, me rreth 60% të të ardhurave.
Sektori i dytë është ai i hidrokarbureve, stoku i investimeve të huaja direkte të së cilës zë 15% të totalit të IHD-ve.
E treta renditet sektori i ndërtimit, me një stok prej 4% të të ardhurave të këtij treguesi.
Eksperti ekonomisë, Ardian Civici duke e cilësuar nivelin në rritje të investimeve të huaja në ekonomi si një tregues mjaft të rëndësishëm për zhvillimin e vendit, shprehet se politikat favorizuese për biznes po rrisin sipërmarrjen e huaj në vendin tonë.
Sipas Bankës së Shqipërisë, në investimet e huaja direkte për tremujorin e dytë 2016, arritën në 240 milionë euro, 22% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë./A.K