Ka përfunduar në pranga një çift shqiptarë, burrë e grua, pasi akuzohen se kanë dhunuar një çift turistësh gjermane. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:50 në zonën e Bunecit, Sarandë. Sipas policisë, mes dy shqiptarëve dhe dy gjermanëve ka plasur sherri pas kërkesës së shqiptarëve, për pagesën e parkimit nga ana e të huajve, edhe pse ata nuk ishin pronarë të zonës ku kishin ndaluar turistët.
Njoftimi i policisë
Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes ku ka rezultuar se dy shtetas shqiptar (bashkëshortë), janë konfliktuar fizikisht me shtetasit J.C, 61 vjeç dhe C.C, 59 vjeç (bashkëshortë) me banim në Gjermani.
Në konflikt e sipër çifti shqiptar ka dëmtuar lehtë shtetasin gjerman J.C, dhe më pas janë larguar me shpejtësi duke përfituar nga errësira.
Nga hetimet paraprake dyshohet se konflikti ka nisur për shkak të pagesës së parkimit të automjetit gjerman “Rulot”, tarifë e cila është kërkuar nga ana e çiftit shqiptar duke mos qenë pronarë të zonës (vendit).
Policia e Vlorës në bashkëpunim me Stacionin e Policisë Himarë janë vënë ndjekje të shtetasve në fjalë dhe kanë bërë të mundur kapjen e tyre në aksin rrugor Himarë – Vlorë pranë Orikumit.
Policia ka identifikuar personat e dyshuar si: L.S, 41 vjeç dhe D. N, 28 vjeçe, të cilët po udhëtonin drejt qytetit të Vlorës me automjetin e tyre tip “Benz”.
Këta shtetas janë shoqëruar drejt Stacionit të Policisë Himarë për veprime të mëtejshme në lidhje me ngjarjen.