“Kontrata” e njëzet mijë eurove për të transportuar në avionin e tj me rradhë dyqind kilogramë marihuanë. Kështu e nis shkrimin e saj të sotëm italianja “Corriere.it”, duke nënvizuar me ironi se piloti italian Guido Andrea Guidi, “një biznesmen nga Milano që është arrestuar në vitin 2006 për një aksident ajror, të enjten në orën 9:30 të mëngjesit kishte zbarkuar rastësisht në Ishëm, në veri të Durrësit”.
Ajo e tij nuk ishte thjesht një ekskursion në Shqipëri, siç kishte deklaruar fillimisht para policisë që e kishte ndalur pas uljes emergjente dhe ngecjes në zonën e pyllëzuar të Ishmit, “një zonë e përdorur nga “narkotrafikantët ajorrë”, vijon shkrimin “Corriere.it”.
“Corriere della Sera” duke iu referuar burimeve të inteligjencës italiane shkruan se ka nisur një hetim i përbashkët mes dy shteteve për të identifikuar kokat e këtij trafiku nga ajri, të drogës.
Autoritetet italiane po studiojnë lëvizjet e pilotit drejt Barit si dhe kontaktet e tij. Në dëshminë e tij Guido Andrea Guidi, 69 vjeç, ka treguar dy emra, një italian dhe një shqiptar.
“Të njëjtit njerëz që e kishin rekrutuar, do e paguanin me 20.000 euro, për të sjellë ngarkesën në Itali. Sipas burimeve të inteligjencës, për të shpëtuar, Guidi do të tregojë emrat e organizatorëve, tashmë nën vëzhgimin ”edhe të Guardia di Finanza për lëvizjet e drogës në të gjithë bregdetin puliez. Prokuroria do të vendosë mbrojtje për Guidin për të shmangur hakmarrjet e organizatës kriminale, e përbërë nga mafiozë shqiptare dhe italianë”, vijon shkrimi./panorama/a.k