Një protestë e organizuar nga mijëra aktivistë të organizatave kundër neo fashizmit u mbajt të shtunën në Athinë. Protestës iu bashkuan edhe të afërm të emigrantit shqiptar Pëllumb Marnikollaj, i cili humbi jetën në një rajon policie në Athinë.
Protestuesit të cilët mbanin në duar portretin e shqiptarit Marnikollaj kërkuan zbardhjen e vrasjes së të riut nga Lezha.
“Duam drejtësi asgjë më shumë. Organet e drejtësisë të veprojnë dhe të japin drejtësi për Pëllumb Marnikollaj”, deklaruan protestuesit.
Rastësisht në protestën e të shtunës ndodhej edhe i ati i viktimës i cili ndodhej në Athinë, për t’u interesuar në lidhje me rastin e të birit.
Çështja e ngjarjes së rëndë ku humbi jetën në mënyrë të dyshimtë i riu shqiptar Marnikollaj tashmë i ka kaluar Prokurorisë për hetim, e cila e ka rikthyer dosjen për rishikim dhe është në pritje të ekspertizës mjeko-ligjore. Ndërkohë avokatët e Pëllumb Marnikollajt thonë se çështja është e ndërlikuar, dyshimet janë të forta, por edhe faktet që disponojnë deklarojnë se janë të forta.
Në lidhje me pretendimin për zhdukjen e telefonave të viktimës avokatët thonë se nuk gjenden në dosjen e policisë. Ngjarjen po e ndjekin një avokate shqiptare dhe një avokat grek, mbështetës i Organizatës antiraciste greke, të cilët kanë kryer edhe veprimet ligjore duke hapur edhe padinë ndaj policisë.
BW/d.i.