Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për neglizhencë dhe pakujdesi ndaj 3 mjekëve të Maternitetit ‘Koço Gliozheni’, pas vdekjes së 35¬-vjeçares Aida Çajku,
dhe foshnjës që priste të sillte në jetë. Policia ka çuar në prokurori materialet për tre mjekët: N.Ceni D.Decka dhe H.Klosi, të cilët dyshohet se vonuan shërbimin për 35-vjeçaren.
Mjekët e maternitetit “Koço Gllozheni” nuk kanë mundur të përcaktojnë diagnozën që në fillim, madje nuk e kanë kuptuar situatën e 35-vjeçares, duke e orientuar drejt shërbimit të urgjencës për probleme kardiake. Ajo ka qëndruar në maternitet vetëm 45 minuta. Por vetëm pas një konsulte të gjerë ekipi i mjekëve në maternitet ka përcaktuar diagnozën hemorragji masive në pjesën e shpretkës, një patologji e rëndë kjo, sipas tyre, dhe e rrallë ku 75% e rasteve humbin jetën. Mjekët e maternitetit e kanë diagnostikuar me shumë vonesë këtë gjë, pas sorollatjeve të gruas shtatzënë për mbi 5 orë dhe pasi ajo kishte humbur jetën.
Aida Çajka, nga Paskuqani, ishte nënë e dy fëmijëve të tjerë. Ajo ishte shtatzënë në muajin e nëntë dhe priste të sillte në jetë një vajzë.
DESHMIA E VËLLAIT
Vëllai i nënës fatkeqe Aida Çajka deklaroi për “Neës 24” se policia e shoqëroi pas vdekjes së motrës, pasi ai kërkonte informacion nga mjekët dhe askush nuk i jepte shpjegime. “U them mjekëve ‘çfarë po ndodh?’, më thanë ‘pyet vetë’. Në atë moment i rashë xhamit, ndoshta pak më fort seç duhej, dhe xhami u thye. Në këtë moment kanë lajmëruar policinë dhe më kanë shoqëruar”, – deklaroi Fatjon Omuri.
Vëllai i së ndjerës pretendon se mjekët dhe drejtoresha e spitalit kanë dhënë versione të ndryshme lidhur me vdekjen e foshnjës. “E fusim brenda, mjeku thotë ‘po marr kolegët e mi’. Tha se fëmija ishte i gjallë’. Në dokumentacion nuk vërteton se është bërë një ekografi që fëmija është gjallë. Më thanë ‘na jep konsensusin që të bëjmë operacionin’ sepse bashkëshorti i saj nuk ishte këtu, dhe në një moment mjekët largohen dhe vetëm njëri prej tyre i bënte një masazh kardiak. Unë ende nuk e di shkakun e vdekjes së motrës dhe mbesës. Drejtoresha e spitalit më tha se në momentin që erdhi motra, foshnja ka qenë e vdekur, ndërsa mjekët më thanë që foshnja ishte gjallë”, – deklaroi vëllai i 35-vjeçares, Fatjon Omuri, i cili kërkon drejtësi për zbardhjen e ngjarjes.
DESHMIA E KUNATIT
Në dëshminë e dhënë për “Neës 24” dhe “BalkanËeb”, kunati i 35-vjeçares Aida Çajka, rrëfen gjithë ‘odisenë’ e vuajtjes së saj para se të ndahej nga jeta në orët e para të mëngjesit. Ai dëshmon se mjekët e maternitetit “Koço Gliozheni” nuk i kanë bërë asnjë analizë dhe asnjë EKO, por e kanë çuar në QSUT dhe Sanatorium për zemrën dhe mushkëritë.
Në çfarë gjendjeje e sollët kunatën në maternitet?
Mbrëmë ka shfaqur komplikacione, tension dhe këputje e dhimbje. Pati komplikacione në shtëpi. E morëm me makinë e sollëm me urgjencë, as 10 minuta nuk mbajti rruga. As semaforët nuk i kemi respektuar. E zbritëm nga makina dhe e çuam në Urgjencë. Ishte e mbyllur me kyç, pritëm 20 minuta për t’u hapur. Kunata ime nuk kishte as ku të ulej, s’kishte as stol, kishte të vjella. Infermierja merr doktoreshën dhe i thotë ‘hajde se kam një paciente dhe nuk i duroj dot të vjellat’. Pas 30 min vijnë mjekja dhe një doktor. E fusin brenda, e pyesin. I thotë që kishte dhimbje në krahun e majtë. Thanë që është për QSUT.
A i bënë analiza apo ekzaminime?
Nuk i bënë asnjë lloj ekzaminimi, asnjë analizë. Mua më nxorën jashtë. E pyeta ‘çfarë të bënë?’. E pyeta doktoreshën si është puna e bebit, më thanë se është fare normal. Shkuam te zemra, i bëmë analizat dhe atje doli mirë. 5 me 3 tensionin, vetëm zverdhej dhe nxihej. Thanë mos ishte e ftohur, na çuan te Sanatoriumi. Dhe atje i bënë analizat, por nuk doli asgjë.
Kur u kthyet në maternitet?
Vijmë sërish te materniteti rreth orës 2 të mëngjesit. Kemi ardhur këtu me ambulancë, me oksigjen dhe me shoqërues, doktoresha e sanatoriumit. Kemi ndenjur 20 minuta me ambulancë me dyer të hapura, sepse nuk kishte barelë, nuk kishte njerëz, nuk kishte spitali oksigjen. Thoshin ‘e kemi lart’ dhe për të marrë oksigjenin u duhej 20 minuta. E futëm brenda, pas 2 orëve ka ardhur kirurgu.
Kur është futur në sallë të operacionit?
Është futur në 5 të mëngjesit. Mjekët na thanë se ‘fëmija është i vdekur, të shpëtojmë nënën’. Bënë dhe EKO-n pas 8 orësh dhe zbuluan se fëmija kishte vdekur dhe thanë ‘të shpëtojmë të madhen’. Është futur në 5 në sallë dhe në 5:20 ajo ka vdekur, ndoshta pa e prekur doktorët me operacion. Doktorët na e komunikuan në 6 e ca, kur ajo kishte një orë që kishte vdekur./BW/a.m.