Dy persona të armatosur dhe me kaska në kokë kanë grabitur një pikë karburanti, në aksin Aeroporti i Rinasit-Ura e Gjoles. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:35, kur dy grabitësit kanë hyrë në pikën e karburantit me një motor dhe nën kërcënimin e armës i kanë marrë punonjësit të gjithë xhiron ditore, një shumë prej rreth 3 milionë lekësh të vjetra.
Pasi kanë marrë paratë, grabitësit janë larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa motori i tyre u gjet i djegur rreth 300 metra larg karburantit. Policia u njoftua për ngjarjen nga punonjësi i karburantit, shtetasi XH.Z, 47 vjeç.
NJOFTIMI I POLICISE: “Në datë 16.09.2016, rreth orës 01:35, në aksin rrugor Aeroporti i Rinasit-Ura e Gjoles, 2 persona me skafanda nën kërcënimin e armës i kanë marrë shitësit të një karburanti, shtetasit XH.Z. 47 vjeç, shumën e xhiros ditore, rreth 300 000 lekë. Me të marrë njoftim menjëherë në vendin e ngjarjes shkuan Efektivat e Policisë.
Gjatë kryerjes së kontrollit të zonës përreth, u gjet i djegur, rreth 300 m larg vendit të ngjarjes motori të cilin kishin përdorur autorët, i llojit 50 CC. Policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve”.
BW/d.i.