Prokuroria vijon hetimet për zbardhjen e porositësve të drogës e cila do të transportohej me avionin “Piper” i cili u ul dje në zonën e Ishmit, i ardhur nga Italia.
Shqiptarja.com ka mësuar se hetimet do të kryhen në sekret të plotë dhe për të garantuar këtë, janë sekuestruar telefonat celularë të të gjithë anëtarëve të grupit hetimor.
Ky vendim i titullarëve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda ka ardhur pas dyshimeve për dekonspirim të hetimeve.
Ndërkohë sot pritet që avioni i vogël të transportohet diku tjetër, duke u zhvendosur kështu nga zona mes Ishmit dhe Laçit ku ra dje teksa pilotohej nga italiani 69-vjeçar Guido Andrea Guidi.
Avioni do të zhvendoset për t’iu bërë ekspertiza dhe veprime të tjera hetimore. Nuk dihet ende nëse ky avion është përdorur herë të tjera për transport të lëndëve narkotike.
Piloti italian është liruar nga policia, pas një pakti të tij me Prokurorisë. Ai tregoi përpara hetuesve emrat e porositësve të drogës, shqiptarë dhe italianë, duke pranuar kështu bashkëpunimin me institucionet ligjzbatuese, Prokurori e Polici.
69-vjeçari italian pritet të merret sërish sot në pyetje nga grupi hetimor.
Përkohësisht ndaj tij rëndojnë vetëm dy akuza, shkelje të rregullave të fluturimit dhe shkelje të paligjshme të kufirit.
shqiptarja.com/d.i.