Kryeministri Edi Rama u kërkon institucioneve në Shkodër që të jenë më të përgjegjshëm në raport me publikun, të jenë më të hapura dhe të ofrojnë shërbime për të gjithë. Burime për “BalkanWeb” pohojnë se, kryeministri në takimin me dyer të mbyllura që zhvilloi sot me Asamblenë e PS Shkodër, ka deklaruar para socialistëve se me këtë bashki që drejtohet nga kryetarja Voltana Ademi, e kanë të lehtë që të organizohen dhe të marrin fitoren në zgjedhjet e 2017.
“Kryebashkiakja nuk ka bërë asgjë në 1 vit për qytetarët. Këtë herë duhet që të fitoni zgjedhjet, sepse e keni më të lehtë se kurrë me këtë kryetare të Bashkisë të cilën nuk e duan as të vetët në PD. Është e paaftë dhe nuk është e zonja për të qeverisur, dhe kjo shihet qartë. Keni hapësirë dhe terren mjaftueshëm për të fituar”, tha Rama.
Kryeministri gjithashtu theksoi se çdo qendër votimi duhet të ketë kryetarin e organizatës, por edhe një koordinator, duke qenë se kjo mënyrë organizimi dha rezultat edhe në zgjedhjet e mbajtura në Dibër.
ma.me