Ka vite të tëra që një statujë e Ibrahim Rugovës ndodhet në njërin prej parkingjeve nëntokësore në qytetin e Durrësit në Shqipëri.
Ndonëse statuja duket e rregulluar mirë dhe e përfunduar, ajo ende nuk dihet pse nuk është ngritur askund.
Statuja ndodhet në hyrje të Durrësit, afër vendit të quajtur “Rrota e kuqe”.
Banorët e Durrësit kanë thënë për Indeksonline se nuk e dinë pse kjo statuje ka mbetur kështu, por thonë se ajo ka vite të tëra që gjendet në atë vend.
Ibrahim Rugova lindi më 2 dhjetor të vitit 1944 në fshatin Cerrcë, komuna e Istogut.
Më 10 janar 1945 komunistët jugosllavë ia pushkatuan të atin, Ukën dhe gjyshin Rrustë Rugova, që kishte qenë luftëtar i njohur kundër çetave çetnike që po depërtonin në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Ai u zgjodh, më 23 dhjetor 1989, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, partisë së parë politike në Kosovë që sfidoi drejtpërdrejt regjimin komunist në fuqi. (b.an)