Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s është mbledhur në Athinë për herë të parë që pas zgjedhjes së presidentit të ri të kësaj organizate, Aleksander Çeferin.
Në këtë mbledhje u morën disa vendime të rëndësishme për sa u përket finaleve të aktiviteteve kontinentale, por edhe një vendim për tifozët e dalluar të Evropianit, ku çuditërisht mungonin ata shqiptarë.Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s është mbledhur në Athinë për herë të parë që pas zgjedhjes së presidentit të ri të kësaj organizate, Aleksander Çeferin, shkruan Panorama Sport.
Në këtë mbledhje u morën disa vendime të rëndësishme për sa u përket finaleve të aktiviteteve kontinentale, por edhe një vendim për tifozët e dalluar të Evropianit, ku çuditërisht mungonin ata shqiptarë.
Në fund të mbledhjes së Ekzekutivit, pas një përmbledhjeje të Euro 2016, u vendos t’u jepej një çmim Federatave të Futbollit të Islandës, Irlandës, Irlandës së Veriut dhe Uellsit për “kontributin e jashtëzakonshëm të tifozëve të tyre në kthimin e një turneu të tillë në një sukses”.
Secilës prej këtyre federatave do t’u dorëzohet një pllakatë përkujtimore në një prej ndeshjeve të radhës në kualifikueset e Botërorit në tetor.
Ajo që bie në sy është se në këtë listë mungon emri i Shqipërisë, tifozët e të cilës mbushën me po aq entuziazëm stadiumet dhe rrugët e qyteteve franceze gjatë aktivitetit të verës.
Nuk është rastësi që thuajse në të gjitha mediat botërore, kudo që kishte shkrime për tifozët mbresëlënës në Evropian, përfshihej gjithmonë edhe emri i Shqipërisë dhe tifozëve të saj të zjarrtë kuq e zi.
Edhe vetë UEFA, gjatë të gjithë aktivitetit, nëpërmjet rrjeteve sociale, e theksonte një gjë të tillë, citon “Express”. (b.an)