Arkimed Lushaj, këngëtari i njohur ndryshe si “Stresi”, që i iku policisë para 6 muajsh, i kaloi disa orë në qelitë e paraburgimit, pasi blutë kryeqytetas e prangosën pranë një qendre votimi. Duket se afati përfundimtar i 29-vjeçarit u vulos pasditen e djeshme, ku Policia e Tiranës vendosi lirimin e tij, pas verifikimit të dosjes hetimore.
Në fund të janarit të këtij viti, këngëtari arriti t’i bindte policët e Komisariatit Nr. 3, për të pirë një cigare dhe duke përfituar nga rasti, u hodh nga dritarja. Arratisja e tij shkaktoi një “furtunë” në Policinë e Tiranës, ku pati masa ndëshkimore. Ai ishte ndaluar për 2 akuza, atë të “mosbindjes ndaj policisë” dhe “Drejtim mjeti pa patentë” ndërsa me ikjen e tij i shtoi vetes edhe akuzën e “largimit nga vendi i vuajtjes së dënimit”. Pikërisht këto akuza po i verifikon Komisariati Nr. 4, i cili e ndaloi dje Stresin përballë gjimnazit “Partizani”, fare pranë banesës së tij.
Burimet pranë Policisë së Tiranës i thanë gazetës se pas verifikimit, dje u vendos që Arkimed Lushaj të lihet i lirë dhe të mos arrestohet. Ky vendim kishte të bënte me një moment procedural, pasi kërkimi policor ka skaduar një muaj pas arratisjes së tij, nisur edhe nga rrezikshmëria e ulët e akuzave. Komisariati Nr. 4 kërkoi ecurinë e hetimit nga Prokuroria e Tiranës dhe vendosi në bazë të përgjigjes.
Edhe në të kaluarën, Stresi ka pasur probleme me drejtësinë, pasi është akuzuar për gjobëvënie ndaj regjisorit Leonard Bombaj. Një vajzë 15 vjeçe, e kishte akuzuar Bombajn për përdhunim. Stresi është ndaluar në Qafë-Thanë, në vitin 2011, ndërsa një vit më pas u kap me armë pa leje në Tiranë