Piloti i avionit që u rrëzua në Ishëm ka folur përpara grupit hetimor, në ambientet e spitalit të Durrësit, ku burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se ai ka dhënë dëshmi kontradiktore. Për këtë, piloti pritet që të shoqërohet në polici. Ndërkohë, sa i përket tokës ku është rrëzuar avioni, ajo është përshtatur së fundmi, pasi nuk ka qenë më parë kështu.
Avioni i vogël i llojit “Piper”, i nisur nga Bari i Italisë, ka kryer ulje të detyruar pas një defekti në fshatin Gotull në grykëderdhjen e Ishmit. Avioni u rrëzua mëngjesin e sotëm rreth orë 08:45 dhe drejtohej nga piloti 69-vjeçari Guido Andrea Guidi, i cili udhëtonte i vetëm.
Në dëshminë e parë ai ka thënë para policisë së ka qenë i detyruar të ulte avionin, pasi kishte pësuar një avari. Në shpjegimet e para që jep, piloti italian thotë se është ngritur nga Bari dhe ka dashur të bëjë një udhëtim me destinacion veriun e Italisë. Për shkak të kohës së bukur ka vendosur të kryejë një fluturim mbi det.
“Unë isha duke bërë xhiro mbi det” ka thënë piloti për policinë, në kohën që sipas tij ka konstatuar edhe defektin që e ka detyruar të bëjë ulje urgjente.
Por policia pas kontrolleve të ushtruara konfirmon se në avionin e vogël nuk kishte lëndë narkotike. Aviacioni Civil bëri me dije se avioni që ka rënë në Ishëm nuk ka pasur leje për të qarkulluar në territorin shqiptar.
MA.ME