Një skuadër studiuesish në Universitetin Jadavpur kanë gjetur një mënyre të re për prodhimin e energjisë, duke përdorur luspat e peshkut.
Luspat e peshkut përmbajnë fibra kolagjeni të cilat kanë veti piezo-elektrike. Kjo do të thotë që si pasojë e një force mekanike të ushtruar mbi to, ato mund të prodhojnë energji elektrike.
Dipanklar Mandal, asistent profesor në Laboratorin Organic Nano-Piezoelectric Device, shpjegon: “Ne mbledhin mbeturinat e peshkut nga një treg i përpunimit të peshkut dhe pastaj i kalojmë në një proces demineralizimi për t’i bërë ato transparente dhe fleksibël. Duke vendosur elektroda në dy anët e tyre mund të realizojmë kështu një nanogjenerator piezo-elektrik për të prodhuar energji.”
Riciklimi i mbetjeve të peshkut në këtë mënyrë siguron jo vetëm reduktimin e tyre por edhe një burim shumë miqësor për mjedisin dhe me kosto jo shumë të lartë.
“Në të ardhmen, qëllimi ynë është të instalojmë nanogjeneratorë piezo-elektrikë në pajisjet që mund të vendosen në zemër,” thotë Mandal nga Departamenti i Fizikës në Universitetin Jadavpur. “Kështu ajo mund të gjenerojë energji si pasojë e të rrahurave të zemrës.”/krokodili