Vijon vala e arrestimeve në Francë në kuadër të luftës kundër terrorizmit.
Ditën e sotme policia franceze ka arrestuar në Paris një adoleshent i cili dyshohet se po përgatiste një sulm terrorist.
Sikurse bën të ditur media, policia po vijon kontrollet në shtëpinë e 15-vjeçarit ku sipas hetuesve mendohet se i riu ishte duke pritur të merrte një pistoletë.
Sipas të dhënave të para 15-vjeçari është i lidhur dhe mban kontakte me xhihadistin francez Kassim i cili akuzohet për disa atentate në Francë duke përfshirë edhe ngjarjen në Notre Dame ku u gjet një makinë me disa bombola gazi.
Kassim është në kërkim pasi në vitin 2012 u nis për Siri. Nga 2015-ta, përmes rrjeteve sociale, drejton terroristët në Francë për t’u hedhur në aksion, u jep instruksione dhe vendos kontakte me celulat terroriste.
Ai përdor shërbimin e kodifikuar të postës në internet të parapëlqyer nga terroristët, sepse është më i sigurt.
Ndërsa mbrëmjen e djeshme janë arrestuar 5 sirianë ku sipas dyshimeve ata donin të blinin kallashnikovë. Ata u ndaluan në një restorant ndërsa prisnin të blinin armët për një shumë prej 600 eurosh.
shqiptarja.com/d.i.