Drejtuar
Grupit Parlamentar PS
Grupit Parlamentar LSI
Të tërhiqet projektligji që do të lejojë importin e plehrave në Shqipëri !
Para dy muajsh, një grup deputetësh, antarë të grupeve tuaja, kanë paraqitur një projektiligj, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin 10463, Për menaxhimin e integruar të mbetjeve, të ndryshuar”.
Kujtdo mund t’i kujtohet furtuna e madhe popullore e viteve 2012-2013 për ndryshimin e Ligjit Nr. 10463, datë 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, ligj i cili, nga pikëpamja formale, ka patur problem vetëm se nuk ka ndaluar importin e mbetjeve. Në nenin 22 të tij i jepej Këshillit të Ministrave e drejta që vetëm të kufizojë, por jo të ndalojë, importin e mbetjeve destinuar për incerim. Në nenin 48 ndalohej vetëm importi i mbetjeve të rrezikshme dhe pranohej importi i mbetjeve jo të rrezikshme. Nenet 49 dhe 62 përcaktonin më në detaj procedurat, detyrat dhe sanksionet.
Rreziku i madh që i kanosej mjedisit shqiptar nga importi i mbetjeve si dhe demotivimi që importi i shkakton gjithë procesit imperativ të përdorimit të mbetjeve shqiptare për të mirën e mjedisit dhe të ekonomisë sonë, i ngriti në këmbë shqiptarët në vitet 2012-2013. Aleanca Kundër Importit të Plehrave arriti të mblidhte 65 mijë firma me kërkesën për referendum popullor. për shfuqizimin e neneve përkatëse të ligjit. Ky referendum do të zhvillohej në dhjetor 2013. Por referendumi u anulua, sepse Qeveria e Rilindjes inicioi një ligj për shfuqizimin e të gjitha neneve që lejonin importin e mbetjeve. Në relacionin shoqërues, qeveria shprehej se importi i mbetjeve bie në kundërshtim me qëllimin e mbrojtjes së mjedisit dhe të shëndetit të njeriut dhe se ky import bie ndesh me përparësinë që duhet të ketë trajtimi i mbetjeve që prodhohen nga tregu shqiptar.
Ky ligj u votua me 10.10.2013. U ndryshuan nenet 22, 48 dhe 62 të ligjit dhe u shfuqizua neni 49. Në këtë situatë, referendumi u deklarua i panevojshëm.
Me projektligjin e paraqitur së fundmi në parlament, rikthehen :
Neni 22 dhe 48 në formën identike me atë që ka patur në vitin 2011
Neni 49, me përmbajtje të ngjashme me atë të vitit 2011. Të vetmet ndryshime janë të tilla që e përkeqësojnë situatën në raport me 2011 :
Autorizimi i importit të mbetjeve nuk do jepet më nga Këshilli i Ministrave, por nga Ministri i Mjedisit
Autorizimi nuk kufizohet në një vit por në dy vjet
Hiqet kushti për kërkuesin e autorizimit që të provojë se janë shfrytëzuar të gjitha mbetjet në vend.
Konsideroj se ky projektligj është tradhti ndaj dhjetra mijë shqiptarëve që kërkuan referendum lidhur me çështjen dhe po kështu për miliona shqiptarë, të cilëve iu hoq e drejta e referendumit, përmes ligjit të parë të Qeverisë së Rilindjes. Rikthimi i situatës së mëparshme është pabesi flagrante.
I mbetem të gjitha argumenteve se importi i mbetjeve rrezikon rëndë mjedisin dhe shëndetin e qytetarëve të vendit tonë.
Kërkoj: Të tërhiqet projektligji që do të lejojë importin e plehrave në Shqipëri !
Mimoza Hafizi
Deputete”
ma.me