Një 17-vjeçar, i cili dje nisi vitin e tretë të gjimnazit, u qëllua për vdekje nga një moshatar i tij, pas sherrit të nisur për një adoleshente. Krimi ndodhi pasditen e djeshme, në një lokal në qendër të Pogradecit, duke lënë viktimë Fabio Hilën.
Autori, F.M., e qëlloi në mënyrë të pamëshirshme me automatik e më pas tentoi të largohej bashkë me armën e krimit, por u arrit të arrestohej nga policia brenda një kohe të shkurtër, shkruan “Panorama”.
MOTIVI
Ngjarja është regjistruar në një pikë bastesh në rrugën “Naim Frashëri”, në lagjen nr.3 të qytetit liqenor, teksa dy adoleshentët, të cilët ishin grindur një ditë më parë përmes rrjetit social, janë përballur me njëri-tjetrin. F.M., nga fshati Vërdovë, qëlloi me armë automatike në drejtim të Fabio Hilës, duke i shkaktuar atij vdekjen.
Sipas të dhënave të para nga policia, shkak i grindjes mes dy të rinjve të cilët dje kishin nisur vitin e tretë në shkollën e mesme ishte një motiv banal. Një vajzë të cilën autori pretendonte se e kishte ngacmuar viktima ka qenë zanafilla e sherrit mes dy adoleshentëve, të cilët mësonin në shkolla të ndryshme.
Viktima, djali i vetëm i familjes Hila vazhdonte mësimin në një shkollë private, ndryshe nga autori i cili ndiqte arsimin publik. Burime nga grupi hetimor, duke u bazuar te dëshmitarët thanë se mes autorit dhe viktimës ka pasur fillimisht një debat verbal.
Pas grindjes së një dite më parë në “Facebook”, autori i ka shkuar viktimës në pikën e basteve sportive ku ai po qëndronte, së bashku me 4 bashkëmoshatarë, tre shokë dhe një kushëririn e tij.
Aty i ka kërkuar që të sqaroheshin lidhur me këtë konflikt që kishin. Pasi kanë nisur të flasin të dy janë nxehur dhe kanë nisur të adresojnë drejt njëri-tjetrit sharje dhe fjalë banale, por me ndërhyrjen edhe të personave që ishin të pranishëm në lokal autori është larguar.
EKZEKUTIMI
Dëshmitarët kanë pohuar se para se të dilte nga lokali, autori F.M. është kthyer nga viktima dhe duke e parë në sy me inat i ka thënë: Mos u largo që këtu, sepse do të vij pas pak që të sqarohemi tamam. Një kërcënim që të gjithë e kanë neglizhuar dhe kanë vazhduar të qëndrojnë të qetë në lokal.
Nuk kanë kaluar as 10 minuta, kur në derë është shfaqur sërish F.M. me një automatik në dorë dhe i është drejtuar tavolinës ku viktima po qëndronte me 4 bashkëmoshatarët e tij dhe armën e ka afruar te Fabio. Ka qenë kushëriri i tij, i cili ka ndërhyrë duke iu lutur që të mos qëllojë, por autori nuk e ka dëgjuar.
Autori ka qëlluar një herë në ajër dhe ka urdhëruar të gjithë të dalin jashtë, përveç shënjestrës së tij, të cilin e ka mbajtur peng. Në lokalin e zbrazët autori ka nisur të qëllojë drejt viktimës, duke i shkaktuar atij plagë dhe dëmtime që i kushtuan jetën e më tej ai është larguar.
Pak minuta më vonë policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe ka dërguar drejt spitalit adoleshentin Hila, por ai ka ndërruar jetë gjatë rrugës. Brenda një kohe të shkurtër është bërë i mundur arrestimi i autorit, i cili ka tentuar të largohet pas krimit të rëndë.
DHORJELA ÇULE