Kryenegociatori i Parlamentit Europian për çështjen “Brexit”, Guy Verhofstadt ka bërë të ditur se BE-ja duhet të arrijë një marrëveshje për largimin e Britanisë së Madhe përpara zgjedhjeve të ardhshme europiane në maj apo qershor të vitit 2019.
“Brexit duhet të konkretizohet përpara vitit 2019, kur politika e BE-së të futet në një cikël të ri dhe Parlamenti Europian të nisë mandatin e ri”, shkroi ai në llogarinë e tij në “Twitter”. Ai pritet të marrë pjesë në diskutimet mbi këtë temë, së bashku me negociatorë të tjerë nga Komisioni Europian dhe ministra të Këshillit. Bisedime këto që pritet të nisin vitin e ardhshëm.
Kryeministrja britanike, Theresa May, nga ana tjetër ka deklaruar se nuk do të aktivizojë elementin kyç të mekanizmit për daljen e Britanisë nga BE-ja, artikullin 50 të Traktatit të Lisbonës, përpara vitit 2017 për shkak se nevojitet përgatitja e detajeve.
Verhofstadt, ish-kryeministër i Belgjikës, tha për gazetarët në Strasburg se Parlamenti Europian duhet të “japë mirëkuptimin ndaj marrëveshjes, siç është e përcaktuar në artikullin 50, ndaj dhe është diçka shumë pozitive që PE-ja është e përfshirë në këtë proces që prej fillimit”.
“Dua që Britania ta aktivizojë sa më shpejt të jetë e mundur artikullin 50, në mënyrë që ne të mund të përfundojmë negociatat brenda vitit 2019. Nuk mund ta imagjinoj fillimin e ciklit tjetër legjislativ pa një marrëveshje mbi largimin e Britanisë”, shton ai.
Edhe pse 52 për qind e britanikëve votuan për daljen nga BE-ja të Mbretërisë së Bashkuar, në Skoci 62 për qind e votuesve hodhën votën në favor të qëndrimit, ndaj dhe Verhofstadt shihet me dashamirësi nga qeveria skoceze.
Sa i përket Britanisë, ajo pritet të ketë të paktën dy palë negociatash mbi “Brexit”, njëra për të arritur marrëveshje mbi teknikalitetin e tërheqjes, ndërsa tjetra për të mbuluar marrëdhëniet e ardhshme të Britanisë me BE-në, përfshi të gjitha lidhjet e rëndësishme tregtare. Kjo e fundit pritet të zgjasë më shumë, madje disa thonë se mund të kërkojë edhe një dekadë. Teknikalitetet pritet të përfshijnë adresimin e fushave të tilla, si kontributet e Britanisë në buxhetin e BE-së dhe stafin britanik në institucionet e projektet e BE-së.
Zhvillimi i zgjedhjeve europiane në vitin 2019 pa një marrëveshje për “Brexit”-in do të ishte i vështirë, sepse 73 prej 751 anëtarëve të Parlamentit Europian përfaqësojnë Britaninë. Pas marrëveshjes, këto vende do të duhet të zbriten nga numri total, apo të ndahen në mënyrë të barabartë mes 27 vendeve të tjera anëtare.tch/a.k