Ministrja e Mbrojtjes, znj. Mimi Kodheli, pasi falenderoi organizatorët për ftesën, u shpreh: “Ne sot kemi filluar të rindërtojmë. E kemi filluar me Vlorën, do të vazhdojmë me Tiranën, Durrësin, Shkodrën dhe me gjithë kryeqendrat e qarqeve në Shqipëri dhe po rikthejmë pranë jush zyrat e përfaqësive të ushtarakëve rezervistë në të gjithë vendin”.
Në vijim, ministrja Kodheli u shpreh se nga tranzicioni i pas viteve 90’, FA për shkak të ndryshimit të sistemeve ushtarakët ishin njerëzit më të prekur nga reformat. “Qeveritë ndërrojnë, sistemet ndërrojnë për të përmirësuar atë çka është bërë keq apo atë çka është bërë pjesërisht apo atë që nuk është bërë fare. Gjërat nuk bëhen menjëherë më një të rënë të lapsit. Askush nuk e ka shkopin magjik.
Por e rëndësishme është që kthimi në vëmendje i asaj çfarë ju përfaqësoni dhe asaj çka mund t’i jepni atdheut akoma. Kjo është ajo që, personalisht unë ashtu si edhe kolegët e mi, ashtu si qeveria, duhet ta ketë më shumë se sa parasysh”.
Më tej gjatë fjalës së saj, ministrja Kodheli, duke u ndalur tek rëndësia e ushtarakëve në rerzervë, theksoi se në fund të ditës ajo çfarë duhet të ndajmë bashkarisht, nuk ka të bëjë me faktin nëse jeni pjesë apo nuk jeni pjesë e asaj organizatës, por ka të bëjë me atë çfarë ju mund t’i jepni akoma shoqërisë shqiptare, për ta pasur atdheun tonë të dashur të përbashkët më të sigurtë.
Një rëndësi të veçantë, znj. Kodheli i kushtoi organizimit mbi bazë qarqesh siç kanë qenë dikur të organizuar dhe me eksperiencat që ushtarakët rezervë kanë të mundësojnë nesër një prezencë të tyre më të madhe sa herë që është e nevojshme.
“Në këtë mënyrë, ju më të parët, të gjithë ata që e ndiejnë veten fizikisht mirë, mendërisht akoma më mirë, aktiv për të dhënë në shoqërinë shqiptare të mund ta bëni këtë prezente sa herë që kjo ju kërkohet dhe këtë ta bëjmë bashkarisht”, theksoi Ministrja.
Në përfundim të fjalës së saj, ministrja Kodheli u shpreh: “Unë ju ftoj të gjithë ju që të punojmë sëbashku për të marrë më të mirën prej jush. Unë ju siguroj si Ministër që keni vëmëndjen time personale, të stafit që unë drejtoj, po flas këtu edhe në emër të gjeneral Bazos dhe Shtabit të Përgjithshëm, që bashkëpunimi do të vazhdojë të rritet”.