Paralelisht me këtë proces do të nisë edhe rillogaritja e pensioneve për 700 të moshuar, të cilëve nuk iu është rillogaritur përfitimi mujor deri në qershor të këtij viti. Në intervistën dhënë për gazetën, Klosi sqaron se bëhet fjalë për 700 pensione, për të cilat ka nisur plotësimi i dokumentacionit me ministritë e linjës, përkatësisht Ministrinë e Brendshme dhe Ministrinë e Mbrojtjes.
Qeveria mori përsipër të kthejë paratë që iu janë mbajtur rreth 5425 ish-ushtarakëve që u prekën nga Akti Normativ i 2010-s. Cila do të jetë skema që do të aplikohet?
Po, ky është një vendim shumë i rëndësishëm i yni, që çliron nga detyrimi një kategori pensionistësh, një detyrim që e gjetëm të trashëguar nga qeveria paraardhëse, si shumë vendime të tjera të padrejta dhe në dëm të qytetarëve. Kthimi i detyrimeve për 5425 ish-ushtarakë është një nga shumë vendimet që kemi marrë për të rregulluar pabarazitë e tmerrshme që gjetëm në skemën e pensioneve, skemë që të gjithë e kujtojnë se e gjetëm në kolaps dhe prag falimentimi. Falë reformës së thellë në skemën e sigurimeve shoqërore dhe rritjes së performancës së saj financiare, sot jemi në gjendje të bëjmë rregullimin e kategorive të pensionistëve, për të përfituar të gjithë sipas kontributeve. Pensionistët janë një kategori ndaj të cilëve çdo qeveri duhet të ndiejë detyrimin madhor të sjelljes institucionale korrekte, ashtu si kontributi i punës së tyre ka qenë për vite me radhë. Kjo qeveri e ka këtë qasje, ndaj puna për rregullimin e përfitimit të çdo kategorie është pjesë e punës sonë të përditshme. Në këtë kuptim, edhe vendimi për këtë kategori është pjesë e politikave tona. Pas vendimit të miratuar nga qeveria për ish-ushtarakët, janë duke u hartuar aktet nënligjore për zbatimin e tij. Nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore është përgatitur projektvendimi, i cili është dërguar në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Nga Ministria projekti është dërguar për bashkëfirmosje, ku është marrë mendimi i Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Financave dhe sapo ka marrë gjithashtu edhe bashkëfirmosjen nga Ministria e Brendshme. Krahas këtij procesi, ISSH ka evidentuar të gjithë debitorët dhe kreditorët, aktualisht është në proces të riverifikimit të informacionit. Me daljen e vendimit, do të fillojë menjëherë procedura teknike e shpalljes së shumave të debive të falura, duke i evidentuar edhe në vendimin e caktimit të pensionit, shpallja e shumave kreditore dhe evidentimi në dosje, evidentimi i shumave kreditore në bazën e të dhënave dhe në portalin e pagesave. Kthimi i shumave kreditore do të bëhet me këste mujore të barabarta, nga tetori deri në muajin maj 2016. Ky është afati që përcakton ligji i faljes. Shumat kreditore do të evidentohen në urdhërpagesën e pensionit dhe do të paguhen në datën e caktuar së bashku me pensionin.
Në radhët e atyre që u kthyen në debitorë ka edhe nga ata që u prekën, por që nuk iu rillogarit pensioni. Projektvendimi që pritet të kalojë për miratim parashikon rillogaritje për këtë kategori. Sa është numri i tyre?
Bazuar në të dhënat e nxjerra nga sistemi informatik i pensioneve të parakohshme, deri në muajin maj ishin të parillogaritura rreth 700 pensione të ish-ushtarakëve dhe të punonjësve të Policisë së Shtetit, kryesisht nënoficerë. Bazuar në të dhënat për pagat referuese që kanë sjellë këta persona në momentin e kërkesës për pension, janë bërë llogaritjet dhe pensionet e tyre janë vendosur në nivelin minimal. Ndërkohë janë dërguar listat dhe kërkesat për të marrë vërtetimet e pagave të reja referuese pranë Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Brendshme e Policisë. Janë bërë llogaritjet për të gjitha rastet e ardhura dhe procedura e faljes për shumat debitore të përllogaritura. Nga këta persona nuk ka të përllogaritura shuma për t’u kthyer, pasi nuk janë bërë ndalesa. Po vazhdon puna për rillogaritjen e pensionit rast pas rasti me dërgimin e vërtetimeve nga ministritë e linjës.
Ditët e fundit është lakuar jo pak herë rritja e pensioneve dhe pagave. Madje edhe Kryeministri Rama tha se do të shikohet mundësia për rritjen e tyre. Çfarë ka konkrete në këtë drejtim?
Momentalisht, Ministria e Mirëqenies Sociale, pas një kërkese të mbërritur nga biznesi, ka ngritur grupin e punës për rishikimin e pagës minimale, e cila sot është në kufijtë e 22 mijë lekëve. Në panairin e fundit të punës na është kërkuar nga komuniteti i biznesit që të ketë një pagë më të lartë. E njëjta kërkesë është bërë edhe nga sindikatat. Për këtë arsye në mbledhjen e fundit të Këshillit Administrativ të Institutit të Sigurimeve Shoqërore është ngritur një grup pune, i cili po punon për rritjen e pagës minimale në shkallë vendi. Sa i takon angazhimit për rritjen e pagës në nivele të ndryshme, kjo nuk është një fushë e cila mbulohet plotësisht nga Ministria e Mirëqenies Sociale, por varet nga disa institucione, me në krye Ministrinë e Financave, që dirigjon të gjithë aspektin financiar.
Mund ta themi paraprakisht se sa do të rritet paga minimale?
Jemi ende në fazën e diskutimeve. Shumë shpejt nisma do të parashtrohet edhe në Këshillin Kombëtar të Punës për një diskutim trepalësh ndërmjet institucioneve shtetërore, punëdhënësve dhe punëmarrësve për të bërë të mundur që me buxhetin e vitit 2017 rritja e pagës minimale të ndodhë në shkallë vendi. Ajo që mund të them paraprakisht është që kërkesa që vjen nga komuniteti i biznesit është që kjo pagë të rritet nga 1000 deri në 1500 lekë të reja.
Ju pohuat që kërkesa për rritje të pagës është bërë nga komuniteti i biznesit, tingëllon gati e çuditshme kjo…
E vërteta qëndron pikërisht kështu. Në panairin e fundit të punës zhvilluar në Tiranë ishte vetë komuniteti i biznesit fason që kërkoi këtë rritje të pagës. Arsyetimi i përdorur prej tyre ka lidhje me formalizimin e biznesit. Prej tyre shikohet si absurde që paga minimale të vazhdojë të qëndrojë 22 mijë lekë në muaj. Ndaj edhe kanë kërkuar një rritje me gati 1500 lekë. Kjo është pozitive dhe pa diskutim do të sjellë impakt në përmirësimin e mëtejshëm të raporteve mes tyre dhe punë- marrësve. Nga ana tjetër, edhe Ministria e Mirëqenies Sociale e ka mirëpritur kërkesën, duke qenë se një gjë e tillë lidhet drejtpërdrejt me skemën e pensioneve. Sa më e lartë të jetë paga e deklaruar, aq më e lartë do të jetë masa e përfitimit kur të mbushet mosha për të dalë në pension.
Reforma e pensioneve, që ka nisur zbatimin në janar të 2015-s, parashikon vetëm indeksim të përvitshëm të pensioneve. Sa e mundur është rritja për të cilën foli edhe Kryeministri Rama?
Filozofia e ligjit të ri është që të mos rriten pensionet me grupe të caktuara, sikundër ndodhi për çerek shekulli me radhë. Kjo gjë bëri që skema të dilte jashtë kontrollit, pasojat e së cilës vazhdojmë t’i vuajmë edhe sot. Reforma e re parashikon vetëm indeksim të pensioneve dhe është viti i dytë pas miratimit të ligjit që pensionet indeksohen në shkallë të njëjtë me indeksin e rritjes së çmimeve për shportën e pensionistëve. Vitin e kaluar rritja ka qenë me 1.4%, ndërsa këtë vit ishte 1.6%. Për sa i përket rritjes në shkallë të gjerë kjo është një politikë tjetër fiskale që del jashtë skemës së pensioneve. Për të qenë transparentë me publikun, skema e vjetër që gjetëm ishte në prag falimentimi, pasi subvencionimi i dhënë nga shteti ishte më i madh se kontributet e derdhura. Me reformat e reja, kontributi i dhënë nga shteti ka nisur të reduktohet. Jemi në një trend shumë pozitiv, i cili na lejon që të ndërmarrim politika të reja dhe këtu nuk kemi të bëjmë vetëm me vullnetin e qeverisë, por edhe me mirëmenaxhimin e skemës.
Një problematikë që ngrihet nga qytetarët është ajo për mungesën e dokumenteve shtetërore me të cilat faktohen vitet e punës. Si do të zgjidhet kjo?
Hapat që ne kemi ndërmarrë kanë pasur si qëllim kryesor thjeshtimin e procedurave që ndiqen nga ana e qytetarëve. Ka pasur shumë problematika që vinin nga mosnjohja e viteve, nga humbja e tyre, plotësimi me laps etj. Në këto kushte ripërsëris se ajo që kemi kërkuar dhe realizuar është lehtësimi i procedurave. Së bashku me Ministrinë e Drejtësisë ne kemi rënë në ujdi për reduktimin e procedurave gjyqësore për të gjithë ata që mbushin moshën për të dalë në pension. Një hap i rëndësishëm i ndërmarrë është edhe ai për dixhitalizimin e arkivës së ISSH-së dhe vendimi për njohjen e viteve kontributive të plotësuara me laps. Ndërkohë, po përpiqemi shumë që të eliminojmë ndjekjen e proceseve gjyqësore në shkallë të dytë e me radhë, veçanërisht në Gjykatën Administrative, e cila ka sjellë me mijëra procese gjyqësore për njohjen e viteve të punës. Objektivi ynë madhor vijon të mbetet ulja e numrit të ankesave që mbërrijnë nga qytetarët. Mendojmë që kemi arritur në një nivel më të lartë për zbutjen e kësaj plage. Raporti me pensionistët ne na shqetëson shumë dhe ajo që duam është të kemi një qasje të re në shërbimet që ofrojmë ndaj tyre.
A do të rritet pensioni social?
Pensioni social është lidhur për herë të parë në vendin tonë. Sa i takon rritjes, do të shikohet bashkë me pensionet e tjera, ndërkohë që deri më tani këto pensione janë indeksuar.
Kompensimi i dritave për familjet që preken nga heqja e fashës. Pritet të ndryshojë masa e rimbursimit dhe a do të përfshihen të tjera kategori në skemë?
Është një tjetër vendim që na bën krenarë për masat tona lehtësuese ndaj kategorive në nevojë. Kemi marrë vendimin e rimbursimit të energjisë për familjet që nga ndarja e vjetër administrative u përkisnin zonave rurale. Por tashmë, me ndarjen e re administrative, familjet që dikur ishin nën organizimin e vjetër administrativ, por nuk kanë të ardhura nga bujqë- sia, janë tashmë përfituese të rimbursimit të energjisë elektrike. Sipas vendimeve të marra, pensionistët kryefamiljarë kur nuk kanë në familje të ardhura të tjera, veç pensioneve, dhe kanë kontratë me OSHEE-në në emër të tyre, marrin dy kompensime, prej 640 dhe 648 lekë. Ne do të vazhdojmë të shikojmë me përparësi grupimet në nevojë. Për momentin mendoj që jemi në një skemë që i mbulon të gjitha kategoritë në nevojë. Megjithatë, përfshirja e grupimeve të tjera mbetet opsion i hapur.
Shumë shpejt pritet të kalojë në Qeveri një vendim i ri për pensionet suplementare të personave me tituj shkencorë. Si do të bëhet përllogaritja?
Pas një sërë vendimesh, si vendimi i sipërpërmendur për pensionet e ish-ushtarakëve, si ngushtimi i diferencave të pensioneve, apo vendimi për rregullimin e pensioneve për njerëz të shquar të artit, shkencës e sportit, pra personaliteteve, aktualisht është në proces miratimi një projektvendimi për pensionet e personave me tituj shkencorë. Ndryshimet ligjore të bëra gjatë vitit 2015, ndër të tjera sjellin të drejta për një kategori punonjësish me titull “Docent”. Për përllogaritjen e këtyre pensioneve presim kalimin e Vendimit të Këshillit të Ministrave, që përcakton pagën referuese.
Ndalemi te ndihma ekonomike. Qeveria ndryshoi katërcipërisht mënyrën e përfitimit, kriteret që do të aplikoheshin. Ku jemi aktualisht me këtë skemë? Ka nisur zbatimin?
Pas miratimit të ndryshimeve ligjore, ka nisur puna për implementimin e skemës së re, e cila do të shtrihet në të gjithë vendin brenda 6-mujorit të parë të vitit 2017. Aktualisht jemi në fazën e trajnimit të administratorëve lokalë dhe përgatitjes së infrastrukturës për të pajisur me bazën e nevojshme materiale të gjitha njësitë e pushtetit vendor. Për këtë jemi në përputhje të plotë me planin e punës të konsultuar me ekspertët e Bankës Botërore. Parimi kryesor i sistemit të ri është që ndihma ekonomike të shkojë te familjet që janë vërtet në nevojë. Përfituesit e asistencës nuk do të kushtëzohen më nga vullneti partiak, por nga indikatorët e varfërisë. Skema e re nxjerr jashtë familjet me të ardhura të konsiderueshme dhe që deri më tani kanë përfituar abuzivisht. Është e patolerueshme që një familje që ka shumë prona, apo makinë, të marrë edhe asistencë. Ndaj edhe qëllimi është adresimi i fondeve tek ata që kanë vërtet nevojë. Për këtë do të bëhet i mundur edhe dyfishimi i ndihmës ekonomike. Me sistemin e ri, asistenca shkon minimalisht 5200 lekë në muaj. Ndërkohë që kjo do të varet edhe nga përbërja e familjes. Sa më shumë anëtarë, aq më e lartë do të jetë masa e përfitimit.
Vende pune ka?
Po, vende pune ka. Ne dita-ditës jemi dëshmitarë se sa po popullarizohet arsimi profesional. Në ditën që flasim në zyrat e punës ka mbi 32 mijë vende të reja pune të shpallura nga biznesi.
Por nga këto vetëm 1660 janë bërë publike?
Nuk janë të publikuara në faqen zyrtare, por disponohen nga Shërbimi Kombëtar i Punësimit. Informacioni juaj është i pasaktë. Zyrat e punës janë të hapura për të gjithë ata që kërkojnë punë. Më duhet të them që edhe numri i atyre që paraqiten në zyrat e punës për punë ka rënë në mënyrë të ndjeshme. Qëllimi ynë është që t’i afrojmë të rinjtë drejt arsimit profesional dhe prandaj e them me bindje që në Shqipëri ka punë, por duhen profesionistë.
Sa i takon arsimit profesional, a kanë dhënë rezultate politikat që keni ndërmarrë dhe apeli se tregut i mungojnë profesionistët? A e kanë zgjuar interesin e të rinjve?
Në këto ditë të para për nisjen e regjistrimeve jam i surprizuar nga mbështetja që opinioni publik është duke i dhënë politikës sonë për arsimin profesional. Në shkollat e qyteteve të mëdha, kryesisht në Tiranë, Durrës, Shkodër, Fier dhe Vlorë ka dyndje të qytetarëve që kërkojnë edukim profesional. Kemi një mbështetje shumë të madhe në këtë reformë. Në shkollat e Tiranës numri po shkon dyfishin e numrit të regjistrimeve në raport me vitin e kaluar. Ajo që synojmë është që në vitet në vijim të 10-fishohet numri i nxënësve në shkollën e profesionale të Kamzës. Jemi në rrugën e mbarë për ta arritur këtë. Binjakëzimi i shkollave me simotrat e tyre jashtë vendit do të krijojë mundësinë e një edukimi cilësor. Me rëndësi në gjithë këtë proces është që njerëzit na kanë mbështetur. Ne do të vazhdojmë të punojmë fort që shkollat t’i transformojmë në qendra multifunksionale, në shërbim edhe të të rriturve, jo vetëm të atyre që mbarojnë arsimin bazë. Tani mund të them me plot bindje që jemi mirë, por ka ende punë për të bërë.
ADA HAZIZOLLI
ma.me