Nga Ben Andoni
Ndalimi i “Skënderbeut” të Korçës me një vit mungesë pjesëmarrje në Kupat e Evropës është konsideruar si “tragjedi” nga aktorë të ndryshëm të jetës sportive shqiptare. Është pretenduar se akuza është ngritur pa prova bazike, por kur lexon realisht raportin dhe ato që kanë rrëshqitur nga vetë pjesëmarrës të ndryshëm të akuzuar, e mbi të gjitha listën e shumtë të ekipeve pjesëmarrëse në vend, që indirekt përmendeshin aty, kupton se dënimi ndaj ekipit shqiptar është nga më të lehtët e mundshëm, por nga ana tjetër dhe një kambanë alarmi për futbollin shqiptar.
Duhet thënë se fiksimet e ndeshjeve në shekullin XXI, konsiderohen një gangrenë e vërtetë e sportit. Njësoj si me Skënderbeun, shumica e parregullsive janë verifikuar në mënyrë të tërthortë, nga bastet në momente të caktuara, performanca e dyshimtë e lojtarëve dhe realitetet e rrjeteve sociale. Por gangrena gjithsesi po shtrihet gjerësisht në kohë dhe hapësirë. Është kaq e dukshme kjo saqë në shumë vende ka humbur realisht besimi në vlerat e vërteta të sportit dhe të shfaqjes së sportistëve. Rastet e shtuara të dopingut, konfesimet e disa kampioneve të botës dhe akuzat e ndërsjella, por më shumë se të gjitha: dëshmitë që kanë dalë nga futbolli e kanë bërë botën, që t’i shmanget disi besimit të sportit të pastër.
Është për të ardhur keq, sepse nga fiksimet e ndeshjeve, dopingu, ryshfeti nuk kanë shpëtuar edhe vende me traditë papërlyerje, si Anglia dhe Gjermani, për të mos folur për Rusinë, që ka marrë një dënim shembullor nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar për Rio 2016.
“Njerëzit sipërfaqësore besojnë në rastin. Njerëzit e fortë besojnë në shkak-pasojën”, thoshte në kohën e vet eseisti Ralph Waldo Emerson. Bota e sotme me lëbyrjen që shkakton teknologjia dhe shpejtësinë për të marrë suksesin e pamirëqënë është bërë gjithnjë e më e gënjeshtërt. Nga kjo nuk kanë shpëtuar pothuaj shumica e vendeve, kurse vetë UEFA dhe FIFA në vitet e fundit po përballen me akuza, në të cilat për fat të keq edhe vetë kanë qenë pjesëmarrës. Duhet thënë për fat që ishte ndërhyrja e autoriteteve amerikane mu në kokën e futbollit ndërkombëtar që po e kthen disi qetësinë dhe vlerën e lojës së bukur, që ende vuan akuzat për fiksime dhe ndeshje të pandershme.
Ndaj rasti i “Skënderbeut” dhe përmendja e Shqipërisë në të na bën bashkëkohorë me të gjithë këtë realitet llumi. Ajo që na dallon është se ndërsa ata që ende e dashurojnë vlerën e sportit e dënojnë, në Shqipëri ende ka përpjekje, që t’i fshihen dënimit. FSHF duket se nuk do të reagojë fare me dorë të hekurt. Ky është vërtetë turp, që fshihet me shprehjet tashmë të dalë boje se jemi dënuar me akuza të paqëna!
Një kronologji e shkurtër e fiksimit të ndeshjeve në futboll
2003 – Portieri Bjellorus Valery Shantolosov u arrestua në përpjekjen për të fiksuar dy ndeshjet e kualifikueseve të vitit 2004. Edhe pse Shantolosov nuk ka luajtur në asnjë nga këto ndeshje, ai ishte i lidhur me kontrabandistët rusë dhe është akuzuar në përpjekje për të marrë ryshfet dhe në përpjekje që të ndikojë në rezultatin e këtyre ndeshjeve. Ekipi i tij humbi në të dy ndeshjet.
Maj 2006 – Juventus i konsideruar në këtë vit si centrali elektrik i Serisë A italiane në futboll u bënë protagonistë të një megaskandali. Deri më atëherë “Yankees e futbollit italian” kishin fituar plot 29 kampionate kombëtare. Megjithatë në vitin 2006, pasi Juventus fitoi kampionatin e tij të dytë kombëtar rresht, pas shumë viteve mungesë, ekipi u shpërbë gati krejt për shkak të akuzave për fiksimin në ndeshjet e luajtura. Me këtë rast, hetuesit federalë italiane kanë kryer plot njëzet muaj përgjime, duke u përpjekur të zgjidhin botën e errët të futbollit italian. Ajo që ata zbuluan ishte vërtetë tronditëse. Zbulimet kanë nxjerrë gjëra të frikshme: kanosje, kërcënime fizike dhe madje edhe rrëmbime.
Truri i të gjithës ishte menaxheri i përgjithshëm i Juves Luciano Moggi, akuzuar për të qenë organizatori i një sistemi, i cili ka emëruar gjyqtarët “favorizues” për lojërat kryesore të skuadrës së tij. Moggi gjithashtu kishte ndikim të konsiderueshëm mbi shitjen dhe tregtimin e lojtarëve të gjithë ligës italiane. Pasi kanë fituar titullin e vitit 2006, Moggi ka dhënë dorëheqje nga funksioni i tij me ekipin. Kur hetuesit italianë kapën fillin e të gjithë mashtrimit, Moggi ka ndërprenë bashkëpunimin gjatë marrjes në pyetje, duke pretenduar se i duhej për të mbrojtur veten nga “fuqitë reale” që zhvillonin lojërat.
Ish-ekipi i Moggi-t, Juventus i Torinos, ishte në pronësi të familjes Agnelli, i cili zotëronte edhe Motor Corporation Fiat.
Hetuesit zbuluan gjithashtu se portieri i Juventusit Gianluigi Buffon e kishte zakon të vinte shumë baste. Ai ka vendosur mbi 2.5 milion USD për aktivitete sportive të ndryshme sportive, të paktën gjatë atyre që janë monitoruar për Buffon. Hetimet, gjithsesi, nuk i bënë gjë Bufonit. Pavarësisht nga kjo, Buffon u zgjodh më vonë të mbronte rrjetën e përfaqësueses për ekipin e Kupës së Botës të Italisë.
Në Napoli besohej se ishte një “grup elitë” në krye të botës së futbollit italian që kish formuar një organizate kriminale me qëllimin për të ndikuar në rezultatin e disa lojrave. Hetuesit kapën fiksimin për 19 ndeshje të veçanta për të cilat bëhej fjalë në një raport dhe kanë hetuar 41 persona të përfshirë në fiksimet e këtyre ndeshjeve.
Tre ekipe: Lazio e Romës, Fiorentina e Firences dhe AC Milan (e cila ishte në pronësi të kryeministrit italian) u vunë në shënjestër po ashtu për fiksimin në këto ndeshje.
Kur të gjitha janë konfirmuar, i gjithë bordi i drejtorëve të Juventusit u detyrua të japë dorëheqjen. Presidenti i Federatës të futbollit italian dhe zëvendësi i tij po ashtu dhanë dorëheqjen si të akuzuar direkt. Dy zyrtarë të lartë të arbitrave po ashtu dhanë doreheqjen, të mbuluar me turp.
Korrik 2006 – Është akuzuar Franca se i pagoi Brazilit 25 milion USD për të humbur ndeshjen e saj çerekfinale në Kupën e Botës. Një e-mail gjoja i zbuluar pjesërisht shkruante se: “Brazilianët kanë marrë një kompensim nga francezët që e tejkalon çmimin trofe të fituesit, kështu që ata tani janë shumë të kujdesshëm.” Dyshimi u provua pas humbjes, pasi asnjë nga lojtarët brazilianë yje nuk foli me shtypin pas ndeshjes.
Dhjetor 2007 – Organi qeverisës i futbollit Evropian, UEFA, i kërkoi Interpolit për të hetuar fiksimet brenda sportit. UEFA i ka dorëzuar policisë një dokument 96 faqësh me dyshimet në lidhje me 26 ndeshje, duke përfshirë tre në raundin e 3 kualifikues të Kampionatit të vitit 2008, dy në Kupën UEFA, dhe një në raundin kualifikues të Euro 2008.
Miliona dollarë ishin të përfshirë, shumë prej të cilave u sigurua nga sindikatat aziatike të cilat mbeten shumë aktive si në kumar dhe fiksimin e ndeshjeve. Ekipe nga Gjeorgjia, Serbia, Bullgaria, Kroacia ishin të dyshuarat kryesore.
2008 – Gazeta britanike “The Independent” botoi një artikull investigativ për lojtarët në pjesëmarrje kumari. Mbështetur në hulumtime të kujdesshme artikulli pohoi se po ndodhte një “epidemi” e dëmtimeve të lojtarëve, e cila kishte çuar pa dyshim në incidente në terren, për shkak se shumë lojtarë kishin nevojë për të paguar borxhet me kumarxhinjtë.
Mars 2008 – Një artikullshkrues ka postuar rezultatin e një ndeshje futbolli japonez të ligës së parë, që para se të zhvillohej. Ky nuk ishte një parashikim, por një paralajmërim se loja ishte caktuar që më parë me një rezultat të fiksuar qartë (ndeshja do mbaronte në barazim 2-2 dhe do fitonte njëri nga ekipet gjatë goditjeve të penalltisë). Rezultati i lojës ka dalë ashtu si ishte përshkruar.
Mars 2009 – Tre lojtarë në ligën e futbollit italian të Serisë A, Franco Brienza, Salvatore Aronica,dhe Vincenzo Montalbano, kanë qenë nën hetim federal për ndeshje të manipuluara në vitin 2003. Të tre lojtarët ishin paguar 270,000 USD nga Mafia për të fiksuar një lojë, që ekipi e humbi 2-1 në fund.
Prill 2009 – U zbulua se që nga viti 2005, policia polake ka arrestuar rreth 200 persona për dyshimin në fiksimin e ndeshjeve të futbollit. Kjo përfshinte që nga anëtarë të Federatës së Futbollit të Polonisë, trajnerë, gjyqtarë dhe lojtarët. Në fillim të vitit 2009, 17 persona të lidhur me Ligën u gjetën fajtorë për fiksimin e ndeshjeve dhe u dënuan me burgim. Dënimi më i ashpër ishte 4 vjet.
Prill 2009 – Bastexhinjtë bullgarë u ndalën të vinin më baste në një ndeshje në kampionatin e vendit të futbollit me frikën se ishte e fiksuar. Për ndeshjen ishte fiksuar një rezultat specifik (3-1) madje ishte vendosur shumë bast mbi të. Loja përfundoi tamam në atë rezultat.
Qershor 2009 – Autori Marc Bennetts shkroi një libër për futbollin rus në të cilën ai pretendonte se të paktën një në dy ndeshje në çdo sezon në futbollin rus janë të trukuara. Në mënyrë të veçantë theksohej me prova një ndeshje që pësoi humbjen 3-2 nga ekipi Krylya Sovietov dhe që u shoqërua me baste të parregullta në kohën e ndeshjeve. Kryetari i Federatës ruse më vonë deklaroi se ishte “turpëruar” me sjelljen e ekipit për ndeshjen në fjalë.
Maj 2010 – Lord Triesman, i cili ishte kreu i Shoqatës së Futbollit Anglez, dha dorëheqjen nga posti i tij për shkak sepse u regjistrua fshehurazi duke folur për mënyrën se si autoritetet e futbollit spanjoll janë përpjekur t’u japin ryshfet gjyqtarëve në ndeshjet e vitit 2010 të Kupës së Botës. (Ishte një arbitër spanjoll që i dha një karton të kuq një lojtari gjerman, gjë që i ka kushtuar ekipit humbje 1-0 ndaj Serbisë në Kupën e Botës 2010)
Tetor 2010 – Katër burra dolën në gjyq në Gjermani të akuzuar për fiksimin e ndoshta më shumë si 270 ndeshjeve të futbollit në Evropë dhe Azi, madje të verifikuar se u kishin dhënë ryshfet lojtarëve dhe arbitrave. Sipas burimeve të policisë, shuma e ryshfeteve arriti më shumë se 2 milion USD, me shumën e bastit mbi ndeshjet e shumë më tepër se kaq. Ndeshjet potencialisht shtriheshin nga viti 2009 deri në 2010.
Gati 50 bastisje janë kryer në Zvicër, Gjermani, dhe Britani në një përpjekje për të mbyllur këtë operacion të paligjshëm. Si rezultat janë arrestuar 15 veta të tjerë në Gjermani dhe 2 në Zvicër, kurse katër gjermanët u akuzuan se ishin maja e këtij ajsbergu të pistë.
Në vitin 2011, “Last Bet” ishte skandali tjetër që shpërtheu në futbollin italian. Një lojtar është ndaluar me këtë rast. Carlo Gervasoni jo vetëm e konfirmoi rolin e tij në çështje në vitin 2015, por ai shpjegoi se ka korruptuar më shumë se 60 lojtarë të Serisë A.
Ligë vazhdon të veprojë edhe sot e kësaj dite përkundër këtyre zbulimeve.
Maj 2011 – Për fiksimin e ndeshjeve, i ashtuquajturi “kingpin” (bosht) Ante Sapina u dënua me pesë vjet e gjysmë burg në Gjermani. Sapina ka pranuar fiksimin e 20 ndeshjeve të futbollit në mes të viteve 2008 dhe 2009, duke përfshirë edhe ndeshje në Oberligën gjermane, Ligën e Kampionëve dhe ndeshjet kualifikuese të Kupës së Botës. Në disa nga këto ndeshje, Sapina dhe miqtë e tij ishin në gjendje për të korruptuar të gjithë ekipin për të marrë pjesë në fiksimet e tyre.
Tetor 2012 – Tre lojtarë Guatemalas janë të ndaluar për jetë nga FIFA për rolin e tyre në fiksimin e tre ndeshjeve, ku dy janë miqësore (kundër Venezuelës dhe Kosta Rika) dhe një humbje 6-1 në CONCACAF (Champions League).
Janar 2013 – FIFA ka ndaluar 41 lojtarë nga futbolli Korean në Asosacionin e Futbollit K-League për fiksimin e ndeshjeve. Ka shpresë për gjysmën e atyre lojtarëve të rikthehen sërish në futboll, pasi kanë plotësuar disa nga dënimet.
Maj, 2013 – Është njoftuar se në kampionatin e futbollit spanjoll është hetuar për fitoren e Deportivo La Coruña 4-0 ndaj Levantes më 13 prill 2013 për shkak të lojës ndoshta të fiksuar. Interesante ishte se presidenti i Deportivos La Coruna Augusto Cesar Lendoiro deklaroi se ekipi i tij ishte i pafajshëm për akuzat, por shtoi se fiksimi i ndeshjeve tashmë ishte një fenomen i shfrenuar në Spanjë.
Qershor 2013 – Andros Townsend i cili luante për Tottenham Hotspur të Premier Ligës angleze është pezulluar për katër muaj për “shkelje të rregullave të FA, për sjellje të pahijshme në lidhje me bastet, të cilat ai edhe i pranoi.” Në fakt, dënimi i vazhdon deri në vitin 2016.
Qershor 2013 – Dy ekipe të futbollit turk janë ndaluar nga Liga e Kampionëve dhe Europa League rreth akuzave për fiksimin e ndeshjeve. Një ekip, Fenerbahce, mori një ndalim tre vjeçar pasi ky nuk ishte hera e parë që ekipi u vu nën dyshime të tilla (ekipi u ndalua nga Champions League 2011-12). Ekipi tjetër, Beshiktas, u dëbua nga UEFA Europa League 2013-14.
Korrik 2013 – Ekipet zakonisht nuk shënojnë 67 gola në një ndeshje të vetme të futbollit (e gati edhe më një sezon të tërë të futbollit), por ja që në Nigeri çdo gjë shkon. Eshtë e panevojshme të thuhet, se kjo ka çuar në një hetim të thellë.
Korrik 2013 – E pazakontë por shumë “pranë fiksimit”: Anëtarët e ekipit të futbollit Belize kanë pranuar se u është kërkuar të humbnin dhe kështu kanë qenë afër një fiksimi ndeshje kundër ekipit përfaqësues të Shteteve të Bashkuara, në një lojë që dihej se do ta humbnin. E veçantë ka qenë se u janë premtuar shumë para, në mënyrë që të rregullonin jetën e tyre dhe të familjeve të tyre, konfirmoi një lojtar. Por lojtarët e Belizes qëndruan të patundur dhe nuk e kanë marrë ryshfetin … edhe pse humbën 6-1.
Gusht 2013 – El Salvador ka pezulluar 22 lojtarë të dyshuar si të përfshirë në fiksimin e ndeshjeve në lojërat e futbolli që përfshijnë edhe dy ndeshje me përfaqësuese, respektivisht me Shtetet e Bashkuara dhe Meksikën. El Salvadori nuk do të luante derisa hetimi për këto pohime të ishte i plotë. Në shtator, 14 anëtarë të ekipit u pezulluan për jetë.
Shtator 2013 – Prej fiksimit të ndeshjeve, në Australi, janë arrestuar 10 anëtarët e Premier League me shuma më lart së 2 milion USD bast në lojërat e dyshimtë. Disa prej këtyre lojtarëve ishin nga Anglia, kurse kanë punuar në Australi “jashtë sezonit”.
Nëntor 2013 – Një skandal i fiksimit të ndeshjeve godet Anglinë, që sjell gjashtë të arrestuar me akuzën e pretenduar të shitblerjes së ndeshjeve. Një arbitër ishte blerë për 20.000 paund angleze!
Tetor 2015 – Konfederata Aziatike e Futbollit (AFC) ka pezulluar katër lojtarë të Nepalit dhe një zyrtar (vetë kapitenin e ekipit kombëtar për rolin e tyre në një komplot të fiksimit të ndeshjeve. Ata u arrestuan dhe u akuzuan për marrje ryshfeti nga bookmakers në Malajzi.
Tetor 2015 – Kjo mund të jetë e vështirë të besohet, por e gjithë Canadian Soccer League është akuzuar se mund të jetë nën ndikimin e fiksimit të ndeshjeve. Ndoshta më shumë se 60 lojëra në një sezon të vetëm, që përbëjnë 42 për qind të ndeshjeve të luajtura kanë qenë të dyshuara në baste. Megjithatë, kjo ligë mbijeton.
(Materiali i shfrytëzuar nga siti http://www.thefixisin.net/international.html)