Një kufomë thuajse e skeletizuar është gjetur paraditen e së dielës në zonën e Kodrës Selitës, në Tiranë.
Policia tha se trupi i pajetë u gjet në një shkallë të lartë dekompozimi nga barinjtë e zonës, të cilët telefonuan menjëherë në sallën operative.
Nga hetimet paraprake dyshohet se kufoma i përket një personi të seksit mashkull, që mund të ketë rreth një vit që ka vdekur. Ndërsa nisur nga rrobat që janë gjetur në vendngjarje, viktima mund të ketë qenë një djalë i ri, jo më shumë se 25 vjeç, raporton “Panorama”.
Mësohet se koka është gjetur e ndarë nga trupi, ndërsa disa gjymtyrë ende nuk janë gjetur nga Policia. Burimet thonë se mund të jenë zhvendosur nga kafshët që ndodhen në atë zonë. Policia thotë se rrethanat e vdekjes së tij janë ende të paqarta.
Pavarësisht se deri tani në kafkën e gjetur nuk janë konstatuar shenja apo dëmtime, nuk përjashtohet mundësia që i riu mund të jetë vrarë e më pas groposur. Kjo edhe për shkak se gjymtyrët dhe koka kanë qenë të shkëputura nga trupi.
Barinjtë, që kanë lajmëruar forcat e rendit, kanë deklaruar se skeletin e kanë parë mbi sipërfaqen e tokës. Por burimet thonë se trupi mund të ketë qenë i varrosur, jo shumë thellë, e është zbuluar nga shirat, apo edhe kafshët.
Pas njoftimit, shërbimet e Komisariatit nr.6 shkuan në vendin e ngjarjes dhe rrethuan një sipërfaqe prej 200 metrash, ku u gjetën të shpërndara pjesë të trupit të dekompozuar.
HETIMI
Pas veprimeve hetimore të kryera në vendin e ngjarjes, që ndodhet në majën e një kodre, mbi “Kodrën e Diellit”, pjesët e trupit të dekompozuar janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Do të jenë mjekët ligjorë që do të përcaktojnë shkaqet e vdekjes së të riut. Nëse gjenden përballë një vrasjeje apo një vdekjeje natyrale, kjo do të përcaktohet për 2-3 ditë, pasi të verifikohen kockat dhe ndonjë dëmtim i mundshëm në trup. Ndërsa paraprakisht është ekzaminuar koka, ku nuk janë konstatuar dëmtime apo shenja të tjera që mund të përcaktojnë ndonjë shkak vdekjeje.
Burimet thanë se deri në orët e mbrëmjes së djeshme, në Morgun e Tiranës nuk është paraqitur ende asnjë person, që mund të ndihmojë në identifikimin e kufomës. Ndërsa nga ana tjetër, Policia po verifikon listën me persona që janë denoncuar të humbur nga familjarët, për një periudhë 1-2 vjeçare.
Në bazë të të dhënave të denoncuesve do të bëhet krahasimi me trupin e pajetë, rrobat që kishte veshur dhe fizionominë e përafërt të tij. Ende nuk ka ndonjë dyshim konkret që mund të çojë në identifikimin e tij.
Rasti është marrë në hetim nga oficerët e Seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës, gjë që shpjegon se dyshimet kryesore janë për një vrasje të mundshme dhe groposjen e viktimës./Panorama/a.m.