Tronditës ishte pohimi i 40-vjeçares Selvie Yzeiraj në polici ditën e djeshme. Pasi më herët e kishte mohuar të kishte dijeni për përdhunimin e vazhdueshëm të së bijës, një ditë më vonë ajo e ka pranuar.
“Po, i kam parë që të kryenin marrëdhënie, por kisha turp ta tregoja se do bëhej vajza me fjalë”, ishin deklarimet e saj në Policinë e Fierit, raporton “Panorama”.
Nga ana tjetër, Selvia, ndryshe nga një ditë më parë, ka thënë se e kishte parë dy a tri herë Ilmiun duke kryer marrëdhënie me të bijën, por nuk ka pranuar ta bëjë publike për shkak të fjalëve.
“I kam gjetur dy a tri herë që kryenin marrëdhënie, por nuk kam dashur t’i hap fjalë vajzës, prandaj nuk kam reaguar, ndërkohë me Ilmiun prandaj bënim sherr çdo ditë. Ai nuk e trajtonte si vajzën e tij, lëreni çfarë thotë tani. Ja, pyesni vajzën”, ka thënë ajo, ndërsa një ditë më parë u shpreh se nuk ishte në dijeni të rasteve.
Por, nga ana e vajzës, nëna 40- vjeçare është denoncuar se nuk e ka mbrojtur përballë ngacmimeve të hershme të njerkut e më pas as nga marrëdhëniet seksuale me dhunë me të. Në dëshminë e dhënë, 12-vjeçarja ka treguar se prej 6 vitesh ishte përdhunuar nga njerku, por në asnjë moment nëna e saj nuk është larguar nga bashkëjetuesi apo ta heqë vajzën nga duart e tij, e jo më të denoncojë rastin.
Ndërsa nëna e të miturës ka dhënë në dy raste variante të ndryshme pas arrestimit, i vetmi që i ka qëndruar dëshmisë së tij ka qenë vetë Ilmi Hoxha.
I arrestuar bashkë me bashkëjetuesen, 52-vjeçari është shprehur se çdo gjë që është thënë për të implikuar atë në akuzën e marrëdhënieve seksuale me të mitur, është sajesë dhe shpifje, por pa dhënë arsyen pse mendon që Selvia ta ketë bërë një gjë të tillë./panorama/a.k