Shtetasi amerikan, me kombësi libaneze, Fadi Mitri, që u sulmua me shkop bejsbolli dje në Tiranë, është administrator i një kompanie të madhe nga Katari, që ka marrë lejen për ndërtimin e një resorti gjigant te Gjiri i Lalzit. Bëhet fjalë për një investim me vlerë 180 milionë euro. Kompania është “Omnix Albania”, që është regjistruar në QKR, më 27 mars të vitit 2008, me pronar shtetasin nga Katari Jamal Abdulsalam Abu Issa. Kapitali i saj në regjistrimin fillestar ka qenë rreth 10 milionë dollarë, ose 1.1 miliardë lekë. Abu Issa rezulton edhe administrator i shoqërisë, detyrë që ia ka deleguar për një kohë të shkurtër përfaqësuesit të tij ligjor, Fadi Mitri, me pasaportë amerikane, i lindur në Liban.
Investitori nga Katari zotëron edhe një kompani tjetër në Shqipëri, të quajtur “Omnix Contracting and Enginnering”, administrator i së cilës është gjithashtu Fadi Mitri, personi që u plagos dje. Kjo kompani ka si objekt zhvillimin e pasurive të paluajtshme, investimet në infrastrukturë, turizëm, botime, shërbime mediatike dhe publiciteti, aktivitet në fushën e radios dhe televizionit, importeksport etj. Adresa kryesore e kompanisë është komuna Draç në Gjirin e Lalzit. Përveç resortit që do të ndërtohet nga kjo kompani, janë edhe 7 propozime nga subjekte të tjera private për fshatra turistikë në zonën e Gjirit të Lalzit. Këto propozime janë pasqyruar në hartën e Planit për Zhvillimin e Bregdetit.
INVESTIMET
Investitori nga Katari, Jamal Abdulsalam Abu Issa, zotëron edhe një kompani tjetër në Shqipëri të quajtur “Omnix Contracting and Enginnering”, administrator i së cilës është Fadi Mitri, që po ashtu është administrator i deleguar i kompanisë që do të ndërtojë resortin në Gjirin e Lalzit. Jamal Abu Issa është themelues i grupit “Omnix International”, me seli qendrore në Dubai e me specialitet teknologjinë e informacionit. Grupi numëron sot më shumë se 1000 profesionistë në zyrat e veta të shpërndara në Dubai, Abu Dhabi, Arabinë Saudite, Katar, Kuvajt, Oman e Jordani.
Më parë ai ka qenë menaxheri i përgjithshëm i grupit “Salam Studio and Stores”, një prej zinxhirëve të shitjes me pakicë më të mëdhenj në Lindjen e Mesme. Veç projektit të tij, rezultojnë edhe 7 projekte të tjera që shtrihen në pikat më të mira të Gjirit të Lalzit. Ato janë të përqendruara në një hapësirë prej pak kilometrash dhe të pozicionuara shumë pranë detit. Fshati i parë, sipas hartës, mendohet të ngrihet në Rrushkull, për t’u pasuar nga një i dytë në Hamallaj dhe një i tretë në Shkafane.
Panorama/d.i.