Sistemi i shërbimeve sekrete sovjetike e ka pasur veçori të vetën vrasjen apo eliminimin e krerëve të tij. Kjo ishte pasojë logjike e luftës për pushtet në Bashkimin Sovjetik, por edhe brenda radhëve të shërbimit.
Trocki, Beria e Jezhov janë krerët e shërbimit që janë ekzekutuar nga ky i fundit, kur ndodhej në urdhra të tjerë, ndërsa dyshime janë hedhur edhe për vetë Stalinin.
Një strukturë e ngurtë me fuqi ekstreme, KGB-ja ishte padyshim edhe arma më e mirë për të ruajtur pushtetin apo për ta marrë atë.
Anëtarët e Byrosë Politike e përdorën për të eliminuar kundërshtarët, konkurrentët dhe padyshim edhe krerët e vetë organizatës, kur shihnin se këta mund të sfidonin pushtetin e tyre.
Historitë janë pak a shumë të ngjashme, vrasjet po ashtu.
Stalini vdiq apo u helmua?
Josif Stalin i përdori shërbimet sekrete për të eliminuar me radhë kundërshtarët dhe jo rrallë vala e eliminimeve përfshiu edhe vetë organizatorët e tyre.
Dy herë u organizuan nga udhëheqësi, persekutime dhe pushkatime në masë. Dhe të gjitha këto u drejtuan nga krerë të shërbimeve sekrete.
Por kjo nuk do të thotë që vetë diktatori, ai që urdhëronte masakrat dhe firmoste vdekjet e kundërshtarëve, mund t’i shpëtonte shërbimit.
Zyrtarisht Stalini vdiq më 5 mars 1953, pas katër ditësh qëndrimi në koma.
Diktatori ra në koma, pas një darke me Lavrenti Berian, kreu i shërbimeve sekrete dhe të tjerë lider të BRSS-së.
Në kujtimet e tij, ministri i Jashtëm i kohës, Molotov, kujton se Beria e akuzoi atë për helmim. Nga ana tjetër, dëshmitarë të ngjarjes kujtojnë se Beria ndaloi që diktatorit t’i bëheshin shërbime mjekësore, duke pretenduar se ai ishte në gjumë.
Fakti që Beria ishte pas vdekjes së Stalinit njeriu i dytë më i fuqishëm në vend, me pretendimin për të marrë edhe kreun e shtetit.
Akuzat e tij ndaj Molotovit që ndodhej në krahun e kundërt dhe frika që ai dhe liderët e tjerë sovjetikë kishin nga Stalini, ka ngritur dyshimet se diktatori u la të vdiste apo edhe u helmua.
Megjithatë askush nuk ka sjellë prova të sigurta për këtë.
Trocki u vra në Meksikë
Ata ishin të tmerrshëm dhe të paprekshëm gjatë kohës që sundonin, por po ashtu ata ishin viktima të “krijesave” të tyre.
Ndërsa quhej deri vonë njeriu që do të pasonte Leninin, Trocki nuk ia doli mbanë të përballonte kulimat e Stalinit.
Ai u përpoq të bënte opozitë, por shpejt i humbi pozitat e tij të larta dhe u depërtua.
Megjithatë, themeluesi i shtetit të BRSS-së dhe drejtuesi kryesor i ÇEKA, që do të ishte edhe fillimi i shërbimeve sekrete, nuk u mjaftua. Ai vazhdoi opozitën deri sa u eliminua kur ishte në mërgim në Meksikë.
Ekzekutimet e Beria dhe Jezhov
Në fillim atyre u jepet fuqia. Drejtojnë shërbimin sekret, marrin në kontroll frenat e shtetit ose janë vegël e udhëheqësit dhe në një moment shpallen tradhtarë e spiunë dhe ekzekutohen.
Nikolai Ivanovich Jezhov dhe Lavrenti Beria, të dy drejtues të KGB-së e organizatorë të masakrave, me urdhër të Stalinit u ekzekutuan të akuzuar për tradhti.
I pari u akuzua se kërkoi të vriste diktatorin, ndërsa i dyti për spiunazh. Që të dy mbahen mend si drejtues të fuqishëm të shërbimeve sekrete.
Dyshimet për helmimin e diktatorit
Josif Stalin lindi më 21 dhjetor 1879 dhe vdiq më 5 mars 1953. Deri më tani askush nuk kishte dyshuar se vdekja e tij nuk kishte ardhur për shkaqe natyrale.
Diktatori dhe udhëheqësi gjakderdhës, i akuzuar si një nga më të egrit që njohu historia, e ngriti dhe e bazoi pushtetin e tij mbi bazë të shërbimeve të fuqishme sekrete.
Dihet tashmë se ishin pikërisht drejtuesit e këtyre shërbimeve që mbaheshin më afër nga diktatori dhe cilësoheshin edhe si më besnikët e tij.
Me urdhër të tij, këto shërbime vranë Trockin, një sërë miqsh deri dhe njerëzit e drejtuesve të lartë u ekzekutuan, u helmua apo depërtuan nga shërbimet sekrete.
Ai arriti që nëpërmjet komploteve të hipte në pushtet e më pas përmes depërtimeve dhe persekutimeve në masë të fuqizonte pozitat e tij.
Por në mars 1953 ai mori pjesë në një darkë me njerëzit më të afërt, përfshi edhe anëtarë e drejtues të shërbimeve sekrete.
Darka e fundit e Stalinit, katër ditë pasi ai të jepte shpirt, dyshohet se ishte edhe darka kur u helmua.
Por jo vetëm kaq, dyshimet e hedhura kryesisht mbi drejtuesin e shërbimeve sekrete dhe pretendentin për të ardhur në pushtet Berian, thonë se Stalini u la pa mjekim.
Dëshmitarët tregojnë se diktatori qëndroi katër ditë në koma, pa marrë ilaçe. Asnjë nga këto dyshime nuk është provuar.
Jezhov, komploti ndaj shefit të përgjakshëm
Nikolai Ivanovich Jezhov lindi në maj 1895 dhe u ekzekutua pas një komploti nga shërbimet sekrete në shkurt 1940. Ai ishte një nga krerët e shërbimit sekret sovjetik NKVD. Këtë të fundit e drejtoi që nga viti 1936 deri në 1938-ën.
Periudha e sundimit të tij konsiderohet edhe si një nga më të përgjakshmet e këtij shërbimi, ajo është e shënuar në historinë e policisë sekrete sovjetike si “Koha e Jezhov”.
NKVD-ja paraardhëse e KGB-së e drejtuar nga Jezhov, mori masa për të shkatërruar të gjithë opozitën e mundshme të Stalinit në Rusi.
Operacioni do të konkludonte me dhjetëra të vrarë e mijëra të persekutuar, duke përfshirë këtu oficerë dhe profesionistët e rangjeve më të larta të shtetit sovjetik. Në nëntor 1938, Jezhov u tërhoq nga drejtimi i policisë sekrete.
Në fakt në dokumente kjo tërheqje është parë si diçka normale. Ai u pasua në atë post nga një tjetër drejtues i dhunshëm Beria.
Duket se me këtë lëvizje Jezhov kishte nënshkruar edhe ekzekutimin e tij.
Më 3 mars 1939, Jezhov u hoq nga të gjitha postet dhe privilegjet që mbante në Partinë Komuniste dhe në Shtetin Sovjetik.
Më 10 prill 1939 u arrestua pas një komploti dhe në një gjyq të mbyllur u dënua me vdekje me akuzën e kurdisur nga vartësit e tij se do të vriste Stalinin, u ekzekutua në shkurt 1940.
Çudia e madhe është se ky njeri ishte përkrahësi më i madh i diktatorit dhe ekzekutuesi i pamëshirshëm i kundërshtarëve të tij.
Leon Trocki, ideologu i kuq u vra në Meksikë
“Mos e vrisni! Ai burrë duhet të tregojë një histori”, këto janë fjalët që tha udhëheqësi komunist Leon Trocki, pak sekonda pasi ishte qëlluar nga agjenti sekret i Stalinit, ndërsa ky i fundit mund të ishte vrarë nga rojet e tij. Ideologu i madh i marksizmit dhe krijuesi i Internacionales së Katërt, që do t’i bënte opozitë asaj që drejtohej nga Stalini, humbi jetën në zyrën e tij i goditur nga një shufër hekuri e përshtatur në formë thike.
Ai ishte një nga krijuesit dhe komandantët e Ushtrisë së Kuqe dhe drejtues i ÇEKA-s, që luajti rolin e shërbimit sekret në ushtri, kundër Armatës së Bardhë.
Trocki u vra më 20 gusht 1940, Ramon Merkader, agjent i shërbimeve të cilat Trocki i kishte drejtuar vetë.
Dëshmitarë tregojnë se Merkader kishte dëshmuar në gjyq, se kishte përgatitur hekur dhe se e kishte qëlluar Trockin, ndërsa ky lexonte gazetën.
Nga ana tjetër, Trocki urdhëroi rojet që të mos e qëllonin vrasësin, në mënyrë që ky të tregonte historinë dhe ngjarjen. Vetë udhëheqësi nuk vdiq menjëherë, por nga hemorragjia, pasi ishte goditur në enën kryesore të gjakut në qafë. Trocky i kishte shpëtuar një atentati të parë.
Si u pushkatua kundërshtari i Hrushovit
Lavrenty Pavlovich Beria lindi më 29 mars 1899 dhe u ekzekutua më 23 dhjetor 1953. Ashtu si paraardhësi i tij Jezhenko edhe Beria e pësoi nga një komplot i organizuar kundër tij me mjeshtëri nga shërbimet që udhëhiqte.
Beria u bë shumë i fuqishëm pas Luftës së Dytë Botërore, kur bashkoi dy shërbime sekrete që funksiononin të ndara dhe krijoi bazën për themelimin e KGB-së.
Sot për të ka një histori të errët me dyshime. Këto fillojnë me helmimin apo lënien për të vdekur të Stalinit dhe deri te akuzat që iu ngritën dhe ku përshkruhej si një vrasës e përdhunues pervers.
Ai arriti në kulmet e pushtetit, menjëherë pas vdekjes së Stalinit, kur ndërsa drejtonte shërbimet sekrete ishte edhe zëvendëskryeministër, por lufta e Berias me kundërshtarët dhe problemet që shërbimet e drejtuara prej tij i hapën sovjetikëve në arenën ndërkombëtare, bënë që ai të kishte shumë kundërshtarë.
Për Berian ashtu si për Jezhenkon u përgatitën akuza politike e pasi këto e detyruan të tërhiqej, shërbimet sekrete ngritën edhe morinë e dosjeve që do ta fundosnin duke e akuzuar si spiun të anglezëve. Më vonë, duke qenë se ky fakt pak mund të besohej, ndaj tij u hodhën akuza për përdhunim e makabritete.
Deri më sot dosjet e tij nuk janë hapur, por dihet se Beria kërkonte vendosjen e një sistemi më liberal dhe heqjen e kompetencave të Byrosë Politike që drejtohej nga Hrushovi, kjo ndoshta firmosi edhe fundin e tij. /TO/a.m.