Kosova do të marrë kodin telefonik shtetërorë +383 në fillim të muajit tetor, njëkohësisht nga fillimi i tetori pritet të licencohet një operatorë serb mobil që do t’i ketë operimet e kufizuara.
Këtë e ka bërë të ditur në një intervistë për KosovaPress, kryetar i Bordit të Autoritetit Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), Kreshnik Gashi.
Të martën e ardhshme në Bruksel do të mbahet takimi përfundimtar për çështjen e kodit telefonik. Gashi ka pranuar se ka operime ilegale në pjesë të caktuara të Kosovës.
Ai tha se tashmë pala serbe me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian do të heqë bllokadën në ITU.
“Që nga java e ardhshme, pala serbe do ta heq këtë bllokadë dhe Kosova mund të pajiset me kod në fillim të tetorit të këtij viti. Pritet që me përfundimin e këtij raundi të fundit për telekomin të arrihet marrëveshje që në tetor të këtij viti të publikohet në ITU, dhënia e kodit telefonik për Kosovën.
Të martën e ardhshme, më datën 13 shtator pritet të mbahet takimi përfundimtare për çështjen e kodit telefonik.
Sigurisht janë mbajt një varg takimesh dhe pala kosovare qysh në fillim të këtij viti i ka përmbushur gjitha obligimet që ka pasur në raport me dialogun shtetëror me Serbinë i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, në lidhje me telekomin, ka qenë pala serbe e cila e ka bllokuar dhënien e kodit për Kosovën deri më tani nëpërmjet mekanizmave të tyre në ITU”, tha Gashi, cituar nga Koha. (b.an)