Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi mori pjesë sot në përurimin e fabrikës së re të veshjeve në Kavajë, ku foli për shifrat e punësimit në vend dhe bizneset e reja.
Klosi u shpreh se vetëm në këtë biznes janë punësuar 200 punëtorë dhe pritet që punësimi deri në fund të vitit, të jetë 700 – 800 punëtorë. “Ajo që vëmë re është se kërkesa po rritet për po ashtu punësimi si rrjedhojë e hapjes së vendeve të reja të punës nga investitorë të huaj e vendas. I gjithë investimi i kryer do të marrë dimension të ri, nëse ne arrijmë të kualifikojmë sa më shumë të rinj”, tha Klosi.
Ai shtoi se tashmë ka statistika reale për rënien e papunësisë që bie me 1.4%. “Në zyrat e punës kudo në Shqipëri ka kërkesa reale dhe vende të reja pune. Në shifrat e ISSH-së në janar të 2016, ishin plot 132.534 punonjës të rinj të shtuar nga janari 2014-ës. Pra, 433 mijë në janar 2014 dhe janë shtuar 133 mijë punonjës të rinj, e duke shtuar këtu të gjithë ata që janë punësuar në sektorin bujqësor, shifrat e të cilëve do të shpallen në tetor të këtij viti, pas një marrëveshje që kemi arritur me bujqërit, të cilët do të shkojnë pranë zyrave të ISSH-së, pasi të kenë shitur prodhimin. Arrijmë në shifrat e mbi 220 mijë punonjësve të rinj dhe po të shtojmë numrin 38.846 që janë pranë zyrave të punës për punësime të reja, kjo është shifra reale e punësimeve të reja që kanë ndodhur përgjatë këtyre tre viteve. Kushdoqoftë, politikan, analist, kritik i ri apo i vjetër i strategjisë sonë të punësmit, është i lutut të vijë në këto zyra pune të verifikojë këto shifra dhe këdo votues të tij, mbështetës, simpatizantë, etj., t’i sjellë në këto zyra për punësim, së janë 38.846 vende të reja pune”, tha Klosi.
Ai siguroi se “Shërbimi Kombëtar i Punësimit, do të vazhdojë të trajnojë dhe kualifikojë njerëzit në përputhje të plotë me kërkesat e tregut të punës”. /a.m.