Nga Dritan Hila
Jo vetëm në gjuhën e Lulzim Bashës por edhe në artikulimet e eksponentëve apo ndjekësve të PD, kërkohet një deklarim i prerë i Bashës kundër LSI-së, për pamundësinë e një aleance me Metën.
Përveç bezdisë ideologjike që mund të kenë, kjo ngjan edhe një lloj përpjekje për t’ia faturuar partisë minore që i mundësoi të rrinin në pushtet një mandat të dytë, gjithjë fajet dhe gabimet e qeverisjes.
Mendojnë se kjo do t’i purifikojë dhe mundësojë fitoren e një shumice që do t’i ndihmojë të qeverisin të vetëm.
Por që t’i kursejnë vetes lëpirjen e pështymës në një moment të dytë, duhet të përcaktojnë strategjinë që do të ndjekin. Dhe kjo fillon nga llogaria e numrave.
Duke parë trendin historik, PD asnjëherë nuk ka pasur numrat të qeverisë e vetme, asnjëherë nuk ka qenë parti e parë dhe asnjëherë nuk do të jetë në të ardhmen.
Me këtë sistem elektoral që kanë, ardhja në pushtet ju mundësohet vetëm nga një aleancë me LSI-në.
Vetëm kështu i kanë numrat. Por edhe kjo nuk është e thënë se varet nga dëshira e tyre. Para së gjithash duhet të jenë një opozitë e besueshme, parimore, që krijon frymë dhe që ngjall besim.
Një PD e dobët nuk i duhet askujt, aq më pak vetes, pasi edhe nëse do të dojë Ilir Meta të bashkohet me ta, kushtet e tij kanë për të qenë shumë të rënda.
Mundësi e dytë që PD të mundësojë ardhjen e saj në pushtet është shkartisja e fushës politike në mënyrë që të jenë prezent faktorë të rinj të cilët nuk kanë paragjykime për aleancat dhe mbi të gjitha do të ulin peshën specifike të PS dhe LSI.
Dhe kjo bëhet e mundur vetëm me ndryshimin e kodit, ligjit dhe sistemit zgjedhor, në mëyrë që të lejohet dalja e forcave të reja politike. Në këtë betejë PD do të ketë kundër të dy faktorët, si Ramën i cili e ndjen veten komod në një sistem elektoral të mbyllur si ky egzistues, që i mundëson maksimalizimin e armës së tij më të mirë që ka: Intrigën.
Ndërsa Ilir Metës i sanksionon rolin e gurit të balancës. Që t’ia arrijë kësaj dite, Lulzim Basha duhet të ndjellë LSI-në dhe sedrën e sensin kokëkrisur të Ilir Metës i cili e ka bërë një grevë urie kundër këtij sistemi. Kjo duhet të jetë edhe një luftë parimore e Bashës ku pas vetes do të ketë jo vetëm numrat e parlamentit, por edhe pjesën e shëndoshë të opinionit publik.
Ndaj atij i ka ardhur koha të ndajë mendjen. Në të kundërt, ta gëzojë edhe katër vjet të tjera në opozitë!/dritare.net