“Shqipëria është në një moment të veçantë që imponoi dhe angazhimin tim të drejtpërdrejtë e praninë time në Këshillin e sotëm,” justifikoi Rama pjesëmarrjen e tij të parë në Këshillin e Stabilizim-Asocimit.
Nga ana tjetër, pala europiane përgjigjej me nivelin e Perfaqësueses së Lart të BE-së, çfarë rrëzonte praninë e Presidencës Sllovake (e përfaqësuar në këtë takim me diplomatin që mbulon Ballkanin), përgjegjëse për përpilimin e agjendës së Këshillit të BE-së që merret me çështjet e zgjerimit, në dimër. Për pasojë, Mogherini vetëm mundi të përsërisë vendosmërinë e Brukselit për nisjen e negociatave të anëtarësimit, porsa vendi të përmbush kënaqshëm 5 prioritetet kyçe, ndër të cilat, më thelbësorja, reforma në drejtësi, por mbetet për t’u parë humori i vendeve anëtare të BE-së për Shqipërinë deri në dhjetor. Edhe pse ministri i jashtëm i Sllovakisë, Lajçak, është shprehur publikisht në favor të vendim-marrjes pozitive të Këshillit të BE-së, brenda mandatit të presidencës sllovake, për nisjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, ka zëra se pakënaqësitë e tij në lidhje me Fondin Ballkanik mund të ndikojnë jo për mirë ndaj Shqipërisë.
Në anën tjetër, Gjermania insiston se Shqipëria duhet të vazhdojë të jap “dëshmi gjurmësh solide në 5 prioritetet kyçe për nisjen e negociatave, veçanërisht për sundimin e ligjit“, siç përfshin qëndrimi i përbashkët i vendeve anëtare të BEsë, i miratuar përpara votimit të Kuvendit të reformës në drejtësi. Dokumenti konfidencial përsërit se “paanshmëria, pavarësia, transparenca, efiçenca, profesionalizmi dhe llogaridhënia e sistemit gjyqësor janë elementë qëndror për vlerësimin e kriterit politik për negociatat me BE dhe kyç për të siguruar respektimin e sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar“.
Qëndrimi i përbashkët i vendeve anëtare, një pjesë e vogël e së cilës është përfshirë në deklaratën e përbashkët publike, vlerëson se ”gjurmët e provave për ngrirjen dhe konfiskimin e pasurive të siguruara ilegalisht, mbeten shumë të ulta“. Vendi inkurajohet të intensifikojë përpjekjet “për të ngritur gjurmë provash solide për hetimet, ndjekjet dhe dënimet përfundimtare në luftën kundër çdolloj forme të krimit të organizuar” dhe të sigurojë “ndjekje gjyqësore efiçente të procedimeve penale si dhe të rrisë cilësinë e padive dhe hetimeve”.
Ndërsa mirëpret rezultatet e fundit konkrete në luftën kundër kultivimit të lëndëve narkotike dhe trafikut të drogës, BE vëren se “nevojiten përpjekje të mëtejshme për të zbërthyer rrjetet kriminale të trafikantëve të drogës” dhe kujton se “hetimet për rastet e trafikut të drogës duhet të shoqërohen sistematikisht nga hetimet paralele financiare“. Masa ligjore dhe politika efektive kërkohen për zbatimin e të drejtave të pronës e forcimin e mbrojtjes për të drejtat e njeriut dhe të politikave kundër diskriminimit. Edhe pse liria e shprehjes respektohet në përgjithësi, Shqipëria ftohet “të zbatoje dispozitat ligjore mbi shpifjen e dekriminalizimin dhe të sigurojë zbatimin uniform të nenit 10 të Konventës Europiane për të drejtat e njeriut”.
Kërkohet forcim i kapaciteteve dhe pavarësisë për rregullatorin e medias audio-vizuale dhe transmetuesin publik, si dhe vendi ftohet të “paraqesë legjislacionin mbi reklamat shtetërore, që përputhet me standartet ndërkombëtare.” Marredheniet ndëretnike mbeten të mira dhe Shqipëria çmohet, si në këtë dokument, ashtu dhe në të dy takimet e KSA-së, për rolin e saj konstruktiv në rajon dhe përshtatjen e plotë të politikës së jashtme dhe të sigurisë me BE-në.
Edhe në rastin e një rekomandimi pozitiv të Komisionit Europian, në 9 Nëntor, Shqipëria mund të nisë bisedimet e anëtarësimit me BE-në, me shumë gjasë, vetëm pas mbajtjes së zgjedhjeve të verës, në fund të 2017. Egzekutivi Europian parashikon të publikojë edhe ndryshimet e strategjisë së zgjerimit të Unionit, ku ndërmjet të tjerash, pritet që raportet specifike të progresit për vendet e Ballkanit e Turqinë të publikohen një herë në dy vjet dhe jo përvit, si deri më tani. Kështu që, nëse vendi nuk arrin të nisë bisedimet e anëtarësimit deri në Dhjetor të vitit të ardhshëm, do të humbiste edhe një vit kohë në këtë proces, deri në 2019 kur do të vijonte shqyrtimi i radhës për vendin. Nga Arta Tozaj- Bruksel- dritare.net/
ma.me