Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko zhvilloi një takim me ambasadorin e ri të Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Duncan Norman, në ambientet e Bankës së Shqipërisë.
Guvernatori Sejko prezantoi zhvillimet financiare në vend, ku nënvizoi se sistemi bankar shqiptar është i kapitalizuar, likuid dhe financiarisht i shëndetshëm. Sejko u shpreh se BSH do të vijojë të jetë i angazhuar në përmbushjen e misionit të tij, për qëndrueshmërinë e çmimeve të konsumit dhe stabilitetin financiar të vendit.
Gjatë takimit, Guvernatori Sejko u ndal dhe në zhvillimet më të fundit në eurozonë dhe largimin e Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian, dhe analizoi ndikimet që ato kanë në ekonominë shqiptare. Në këtë drejtim, Guvernatori Sejko garantoi se pavarësisht këtyre zhvillimeve, Banka e Shqipërisë është e gatshme të japë të gjithë kontributin e nevojshëm për të mbështetur një rritje ekonomike të qëndrueshme.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Sejko shprehu mirënjohjen e tij ndaj Bankës së Anglisë për ndihmën në shkëmbimin e përvojave dhe asistencën teknike të dhënë në fusha të ndryshme të bankingut qendror.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua marrëdhënieve të ngushta që ekzistojnë midis dy vendeve dhe forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit në fushën e edukimit, në fushën e drejtësisë për përmirësimin e kuadrit ligjor, si dhe perspektivat potenciale në të ardhmen.
Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Duncan Norman shprehu vlerësimet e tij për kontributin e rëndësishëm që Banka e Shqipërisë jep në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik të vendit.
Në përfundim të takimit, bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim për rritjen e mëtejshme të bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve kryesisht në fushën e sistemit financiar, si dhe në rritjen e investimeve të huaja në Shqipëri./