Kosova shënon edhe një vit me përparime fare të vogla për sa i takon uljes së shkallës së analfabetizmit. Sipas statistikave zyrtare, Dita Ndërkombëtare e Shkrim- Leximit, Kosovën e gjen me 55 mijë qytetarë, të cilësuar si analfabetë të plotë.
Udhëheqësi i Qendrës për Avancimin e Performancës së Sistemit të Arsimit, Halim Hyseni, thotë se kjo dukuri është mjaft shqetësuese dhe nevojitet angazhim i madh i institucioneve në uljen e shkallës së analfabetizmit.
“Gjendja e analfabetizmit në Kosovë është problem i madh i Kosovës dhe i qytetarëve të Kosovës sepse ndryshimet janë shumë të vogla, dhe këto ndryshime nuk mund të jenë në funksion të zhvillimit ekonomik, kulturor dhe arsimor të Kosovës. Kosova përkatësisht është e para me numër të analfabetëve primar në Evropë, që nuk dinë shkrim-lexim fare”, ka thënë Hyseni.
Problemi më i madh, sipas Hysenit, qëndron te personat mbi moshën 15 vjeçare të cilët dinë shkrim-lexim, por nuk mund ta shfrytëzojnë këtë dije për nevoja individuale.
Sipas tij, analfabetizmi te kjo pjesë e popullsisë e vështirëson edhe më shumë përmirësimin e gjendjes aktuale në Kosovë sa i përket shkrim-leximit.
“Me numër të analfabetëve funksionalë, Kosova e zë vendin e parë në Evropë, do të thotë, këto dy fakte tregojnë se sa është problem analfabetizmi në Kosovë. Duhet të ngritet cilësia e sistemit të arsimit, sepse me këtë cilësi të sistemit të arsimit, nuk mund të fitohen shkathtësitë e lexim-shkrimit. Arsimit definitivisht duhet të shpallet prioritet nacional i Kosovës”, thotë Hyseni.
Përveç analfabetizmit të plotë, njihet edhe nocioni analfabetët funksional.
Bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, shkalla e analfabetizmit te analfabetët funksional është 4,18 për qind.
Ndryshe, në Ministrinë e Arsimit thuhet se po bëhen përpjekje në integrimin e këtyre personave me anë të projekteve të ndryshme, citohet Koha. (b.an)