8.652.324 euro, ose 1.211.325.418 lekë do të kushtojë rehabilitimi i Teatrit të Operas dhe Baletit dhe Ansamblit Popullor. Punimet pritet të fillojnë në janar të 2017-tës dhe të përfundojnë në qershor të 2019-tës. Gati dy vjet, pas 60-të vitesh nga krijimi i saj TKOB, do ti nënshtrohet një restaurimi i cili është shoqëruar me një sërë debatesh, prej të cilëve mendohet të kenë qënë shkak dhe për dorëheqjen e ish drejtorit Ilir Kerni.
Me Urdhër Nr.122, datë 05.03.2007, objekti “Teatri Kombëtar i Operas dhe Baleti” gëzon statusin Monument Kulture i kategorisë së dytë, me Nr. II-019. Si i tillë ky objekt mbrohet, bazuar në Ligjin nr.9048, dt.07.04.2003, ”Për trashëgiminë kulturore”, i ndryshuar, neni 27,“Monumente kulture të kategorisë II janë ndërtimet me vlera të spikatura, kryesisht në pamjen e tyre të jashtme.” Gjithashtu përfshihet brenda kufirit të zonës së shpallur “Ansambël Monument Kulture i aksit kryesor dhe Qendrës historike të qytetit të Tiranës”, miratuar me Vendim të Këshillit të Ministrave, Nr.180. datë 13.04.2000.
Gjëndja aktuale
Salla e Teatrit të Operas dhe Baletit ka filluar të shfrytëzohet që nga shtatori i vitit 1966 dhe që në fillim janë hasur problemet që lidheshin me akustiken si: intensiteti i ndryshëm i përhapjes së valëve zanore në mënyrë jo të njëtrajtshme në pika të ndryshme (dhe veçanërisht në llozhën qeveritare) dhe dëgjimi i dobët dhe pa kolorit. Për këtë u bënë ndërhyrjet e para në akustikë në vitin 1975. Gjendja e përgjithshme e ndërtesës shfaqet e rënduar dhe e amortizuar në kohë. Gjatë viteve, në objekt është ndërhyrë pjesërisht në rifiniturë dhe në mirëmbajtje. Ndërhyrje rrënjësore në strukturë nuk ka patur asnjëherë që prej kohës së ndërtimit të tij. Sistemi elektrik është i amortizuar, nuk përmbush normat e lejuara dhe ka nevojë për shtimin e kapacitetit. Sistemi i aspirim/ kondicionimit është funksional pas një ndërhyrjeje të kryer në vitin 2009 për realizimin e këtij sistemi vetëm në hapësirën e sallës (jo në skenë). Për shkak të vendosjes së gabuar të skemës së qarkullimit të ajrit, ky sistem nuk e realizon qëllimin e vet me sukses. Gjithashtu, është një tjetër sistem paralel, ai i kaldajës, punimet për të cilën janë kryer në vitin 2004. Sistemi i fonisë është funksional, por duhen përcaktuar nevojat për pajisjet (boxe, mikrofonë, kufje, sistemi qëndror i zërit) dhe ambjenti teknik i kontrollit të zërit. Mungon sinjalistika për lëvizjen dhe për daljet e avarisë. Nuk realizohen standardet për shfrytëzimin e hapësirave nga PAK – personat me aftësi të kufizuara.
Momentet e ndërhyrjeve
Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit, ka nevojë të ndërhyhet rrënjësisht në të gjithë elementet përbërës të tij. Sipas projektuesve, rikonstruktimi pritet të përmirësojë në mënyrë cilësore, hapësirat e këtij objekti dukë sjellë një risi në aktivitetin e Teatrit të Operës dhe Baletit. Arkitekura dhe sistemet bashkëkohore do të gjejnë zgjidhjen më të mirë të mundshme. Ndërhyrjet e reja pritet të sjellin një hapësirë të re qytetare, për të përmirësuar marrëdhëniet me spektatorin duke rimodeluar volumin dhe lëvizjen, etj. Në imazhin e ri që pritet të ketë TKOB do të ketë më tepër hapësira për shfaqje, apo hapësira për personelin dhe publikun./shqip/a.k