Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi inspektoi procesin e regjistrimeve të nxënësve në Shkollën Profesionale të Kamzës dhe investimet e realizuara në këtë shkollë, në infrastrukturë dhe laboratorë.
Klosi gjeti fluks të kërkesave për regjistrim në këtë shkollë, duke u angazhuar në bashkëbisedim me nxënës dhe prindër për rritjen e kapaciteteve, jo vetëm në këtë institucion arsimor. Në këtë shkollë dhe në të gjitha shkollat profesionale ka një rritje të kërkesave për regjistrim, deri edhe në dhjetëfish më shumë se një vit më parë. Për këtë shkak, ministri Klosi deklaroi se në të gjitha shkollat këtë vit shkollor investimi i qeverisë do të disafishohet për shtimin e klasave dhe ambienteve mësimdhënëse. Ministri Klosi deklaroi se fluksi i kërkesave për regjistrim është rrjedhojë direkte e rritjes së cilësisë në shkollat e arsimit profesional. Nga ky aktivitet ministri Klosi iu përgjigj interesimit të medias për vendosjen e kriterit të mesatares dhe rastit korruptiv të denoncuar në emisionin investigativ STOP në shkollën Karl Gega.
Pyetje: Zoti Minstër, cila ishte arsyeja e vendosjes së notës mesatare në disa lëndë të caktuara, në shkollat e arsimit profesional.
Jemi në Shkollën Profesionale të Kamzës, shkollë e cila dëshmon qartazi dhe është kthyer në shkollën simbol të rikthimit në integritet të Arsimit Profesional. Po të gjykojmë nga shifrat dhe nga dyndja shumë e madhe e nxënësve që zgjedhin Arsimin Profesional dëshmon se politika e ndjekur nga Qeveria Shqiptare dhe Ministria e Mirëqenies Sociale për të rikthyer në vëmendjen e qytetarëve shqiptarë Arsimin Profesional, këtu gjen mobilizimin e saj më të madh. Nëse në vitin e kaluar janë regjistruar në vitin e parë, rreth 300 nxënës, numër gjithsesi i dyfishuar krahasuar me vitin paraardhës, këtë vit tashmë janë regjistruar 600 nxënës e priten të regjistrohen 1000 nxënës, sipas komunikimeve që kemi patur me trupën e mësuesve dhe drejtuesve.
Ka një dyndje shumë të madhe të regjistrimeve jo vetëm në Shkollën e Kamzës, por në të gjitha Shkollat Profesionale të qyteteve kryesore. Pra, ne kemi shumë më tepër punë për rregullimin e kurrikulave, transformimin e këtyre shkollave në qendra ekselence dhe doja të kujtoja që shkolla e Kamzës është një nga shkollat simbol të binjakëzimit me kulturën evropiane të Arsimit Profesional. Qeveria Gjermane ka dhënë një mbështetje shumë të madhe nëpërmjet kooperacionit GIZ, dhe sot kemi një shkollë me kurrikula të ndryshuara, me staf pedagogjik të trajnuar e një shkollë që ka standarde evropiane në laborator por gjithashtu një shkollë që mirëpret investimet e mëtejshme dhe qe është programuar në buxhetin e këtij viti nga MMSR dhe partneri ynë GIZ.
Do të transformojmë shkollën e Kamzës në shkollën më të mirë në rajon. Shpresoj shumë që shumëfishimi i regjistrimit në këtë shkollë, të jetë shembull edhe për shkollat e tjera të vendit. Për sa i përket mesatares së notës, rritja e kërkesës për të hyrë në këto shkolla, na sjell ne në realizmin e objektivave tona kryesore-rritjen e cilësisë së shkollave tona profesionale. Ne vazhdojmë të duam jo vetëm pjesëmarrje por edhe cilësi, e kjo është një nga format për ta ruajtur atë. Mund të shihni të gjithë familjarët që ndodhen këtu, dëshmi e gjallë e kthimit të vëmendjes ndaj shkollave të Arsimit Profesional.
Zoti Ministër mbrëmjen e djeshme në media janë transmetuar disa pamje se si mund të regjistrohesh në një Shkollë Profesionale edhe pse nuk ke mesataren e duhur. Keni reaguar për këtë?
Reagimi im institucional është që në mëngjesin e sotëm, nxjerrjen e urdhrit për pezullimin e drejtuesit të shkollës dhe pushimi e çuarja për ndjekje penale të dy aktorëve që marrin pjesë në atë ngjarje. Mësuesi sekser dhe personi që bënte regjistrimin. Deri në zbardhje të ngjarjes, drejtuesi i shkollës do të jetë i pezulluar. Ngjarje që është shumë e rëndë dhe e dënueshme nga ana jonë por që në të njëjtën kohë tregon sesa shumë nevojë kemi për shtim kapacitetesh dhe gjithashtu nevoja që të gjejmë mënyra që Arsimi Profesional të shndërrohet në mënyrë e re jetese, për shumë të rinj në vendin tonë.
Jemi besimplotë për realizimin e objektivit tonë për dyfishim regjistrimesh në shkallë vendi, jemi besimplotë që në shumë qytete të mëdha të kemi një dyndje akoma edhe më të madhe dhe ne do të bëjmë investime për të shtuar kapacitete e gjithashtu jemi besimplotë që edhe në zonat e tjera, duke vazhduar me këtë ritëm, do të rritim regjistrimet dhe përfshirjen e sa më shumë nxënësve.