Peshkatarët e Sarandës kanë dalë dje në protestë, ku i bëjnë apel shtetit dhe ministrit Panariti të marrin masa, pasi peshkarexhat e tyre janë të rrezikuara. Sipas tyre, që pas furtunës së vitit të kaluar, vinçi i mallrave që u rrëzua ende nuk ka zënë vend, por qëndron ashtu i shtrirë duke krijuar shumë pengesë në punën e tyre.
Gjithashtu porti i peshkimit, vendi ku ankorohen peshkarexhat, është i pamjaftueshëm dhe ndërkohë përbën rrezik ankorimi i tyre në pozicionin të lidhura njëra pas tjetrës, duke krijuar kështu pasiguri për anijet, qoftë nga përplasjet si pasojë e dallgëve, por qoftë edhe nga ndonjë zjarr i mundshëm.
“Situata është alarmante këtu te ne për ankorimin e anijeve, ndërkohë që bankina përballë rri e pashfrytëzuar. Qëllimi i protestës sonë sot është që shteti të vërë dorë e të ndihmojë peshkatarët e Sarandës dhe të heqë vinçin e rrëzuar një vit më parë, si dhe të na zhbllokojë patjetër një pjesë të molit të marinës, sepse vjen dimri dhe ne nuk kemi ku t’i lidhim anijet. Anijet i kemi blerë dhe ndërtuar me gjakun e kursimeve të familjeve tona”, u shpreh Mustafa Gjinika, një prej peshkatarëve më të vjetër.
Një tjetër peshkatar thotë se po vjen dimri i dytë me këtë situatë dhe porti nuk i ka dalë për zot vinçit të rrëzuar një vit më parë nga furtuna.
“I bëjmë thirrje ministrit që të shkelë një herë në portin e peshkimit në Sarandë, sepse po të vijë këtu do të shohë se është kthyer në një vend mbeturinash dhe hedhje plehrash. Ia kemi thënë problematikën drejtorit të Përgjithshëm të peshkimit, Arjan Demiri, por edhe përgjegjësit të peshkimit këtu në Sarandë.
Ata justifikohen se ‘kemi program ristrukturimi dhe do ta shohim, e kemi përparësi’. Deri tani nuk shohim ndonjë përparësi, përveçse gjendje kaotike që vazhdon të mbizotërojë. Jemi mbi 150 peshkatarë që punojmë, të gjithë të regjistruar në sigurimet shoqërore, në atë të tatimeve etj. Pra janë 150 familje që jetojnë nga puna jonë. Janë 12 anije tratakoça, por edhe 40 anije, varka deri në 15m gjatësi, që bëjnë gjueti selektive, dhe të gjitha anijet dhe tratakoçat ankorohen këtu, në këtë vend të ngushtë, që ngelet gjithmonë situatë problematike”, shprehet peshkatari Leonidha Qurku.
Peshkatarët hedhin alarmin edhe sa i përket sigurisë në të tilla kushte. Sipas tyre, anijet e lidhura zinxhir njëra pas tjetrës janë të rrezikuara nga zjarri. Nëse bie zjarr në një prej tyre, do të digjen të gjitha njëra pas tjetrës.
“Nga ana teknike kjo gjendje nuk lejohet. Por jo vetëm rreziku i zjarrit, por anijet rrezikojnë edhe nga përplasja me njëratjetrën dhe kjo vjen nga ngushtësia si vend parkimi që kemi. Çdo dëm i anijeve kalon në kurrizin tonë”, tha peshkatari Pëllumb Canaj, njëkohësisht edhe kryetar i Shoqatës së Peshkatarëve./panorama/a.k