Kryeministri Isa Mustafa në mbledhjen e Qeverisë ka thënë se duhet të luftohen monopolet, pasi që firmat e caktuara e kanë monopolizuar tregun dhe se përfitues të tenderëve, vazhdojnë të jenë një numër i vogël i kompanive, gjë që flet për praktika të këqija.
“Ne duhet të kemi kujdes dhe lidhur me shpërndarjen e investimeve. Sepse kam përshtypjen që firmat e caktuara e kanë monopolizuar tregun, po marrin shumë tenderë, një numër shumë i vogël i firmave, ndërkohë tjerat nuk po marrin.
Këto janë duke respektuar tërësisht ligjin, procedurat e prokurimit dhe shërbimet që i kryejnë këto punë. Por unë nuk mund t’i arsyetoj që të ngushtojmë aq shumë numrin e përfituesve të tenderëve, sepse pastaj kjo mund të flet dhe për praktika të këqija…
Mendoj që duhet që të gjitha ministritë të kenë kujdes, sa më shumë operator privat t’i trajtojnë në mënyrë të barabartë dhe t’i japin shanset në kushte të barabarta të përfitojnë prej tenderëve, por duke respektuar gjithmonë ligjin”, tha ai, citohet nga Koha. (b.an)