Një raport gjithpërfshirës, i pari i këtij lloji i organizatës Transparency International për gjendjen e demokracisë në Shqipëri, funksionimi e institucioneve kryesore të saj dhe roli i tyre për të luftuar kundër korrupsionit, nxjerr në pah të meta serioze në të gjitha hallkat e shtetit dhe të shoqërisë shqiptare. Përpos të tjerave raporti nënvizon si problematkën kryesore pandëshkueshmërinë për figurat e larta të politikës. Raporti në fjalë përmend dhe raste konkrete të pandëshkueshmërisë duke nënvizuar emnrat e kryetarit të PD-së Lulzim Basha, kreut të LSI-së Ilir Meta dhe atij të PR-së fatmir Mediu.
“Pothuajse të gjithë udhëheqësit e tanishëm të partive të rëndësishme politike janë gjykuar për akuza korrupsioni e më vonë janë nxjerrë të pafajshëm. Fatmir Mediu, kryetari i Partisë Republikane, Ministër i Mbrojtjes në vitin 2008, u gjykua për tragjedinë e Gërdecit, por Gjykata e Lartë e pushoi çështjen në vitin 2012 me argumentin se krimi për të cilin po gjykohej Mediu ishte pjesë e një amnistie me rastin e njëqindvjetorit të themelimit të shtetit shqiptar. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, Ministër Transporti në vitin 2005, u hodh në gjyq tre vjet më vonë për akuzat e shpërdorimit të detyrës dhe shkeljes së procedurave në tendera publike për atë që njihet si “Rruga e Kombit” me një dëm ndaj shtetit shqiptar të përllogaritur në shifrën 337 milionë dollarë. Çështja gjyqësore kundër Bashës u deklarua e pavlefshme për arsye procedurale“.
“Në 2011, Ilir Meta, Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI), u gjend në epiqendër të një skandali korrupsioni, që krijoi zemëratë të madhe të publikut e më pas çoi në protestën e 21 janarit 2011, në të cilën u vranë katër protestues. Meta u deklarua i pafajshëm nga gjykata me argumentin kryesor se videoja që tregonte Metën dhe ish Ministrin e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë tek flisnin për ryshfete në sasi të mëdha, nuk ishte e vërtetë, pavarësisht opinionit të kundërt që patën ekspertët ndërkombëtarë që ishin ftuar ta shqyrtonin videon.”
Sipas raportit “korrupsioni politik është i dukshëm në rastet e financimit të partive, keqpërdorimit të burimeve publike për fushatë zgjedhore ose në rastet e blerjes së votës të raportuar në media“.
ma.me