Pas një viti, sheshi “Skënderbej” do të shndërrohet në sheshin simbol të të gjithë shqiptarëve. Pas turit të 24 dëgjesave publike me qytetarët të organizuara nga Bashkia e Tiranës, mëngjesin e sotëm nisi puna për zbatimin e fazës së parë të projektit të “Rikualifikimit urban të sheshit Skënderbej”. Punimet filluan me pjesën qendrore të sheshit dhe rreth Muzeut Historik Kombëtar, ku pas rrethimit të zonës, u vijua me heqjen e shtresës së asfaltit dhe zhvendosjen e pllakave.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u shpreh i kënaqur që, pas një kohe të gjatë, u mundësua nisja e punës për ta shndërruar sheshin “Skëndërbej” në një hapësirë pedonale, e cila do të shërbejë edhe si një mushkëri për qytetin. “I kemi dhënë mundësi qytetarëve të shprehen, ta pasurojnë projektin, dhe sot kemi një projekt edhe më të mirë se projekti fillestar. 50% i të gjithë territorit të sheshit Skënderbej do të jetë i gjelbëruar, i mbushur me pemë, me shkurre dekorative, ndërsa 50% me pllaka guri që janë marrë nga të gjithë trevat shqiptare”, tha kryebashkiaku Veliaj, pasi inspektoi punimet sot pasdite. Ai vlerësoi se ky projekt do t’i japë sheshit qendror të qytetit një hapësirë që respekton së pari, njerëzit. Mandej, u shpreh i bindur se pavarsisht debatit që shkakton çdo punë e bashkisë, në fund edhe ky projekt, ashtu si çdo projekt tjetër, do të pëlqehet nga qytetarët.
“E di që si çdo projekt në fillim ka debat. Mbaj mend debatet për këndin e lodrave te Liqeni, por pasi mbaroi, rezultati ishte fantastik dhe sot fëmijët e Tiranës po e shijojnë më shumë se kurrë. Jam i sigurt se edhe ky projekt do hajë debat, do të ketë kundërshtarët e vet. Nëse Edi Rama do ishte lejuar të punonte dhe të mbaronte projektin 5 vite më parë, sot nuk do ta kishim këtë diskutim. Megjithatë, më mirë vonë se kurrë. Ndaj, për të çuar përpara atë projekt që nisi 5 vite më parë, por edhe për t’i dhënë Tiranës e Shqipërisë hapësirën më të madhe pedonale, jemi këtu për të filluar nga puna”, deklaroi Veliaj. Duke folur për detajet e projektit, kryebashkiaku i Tiranës tha se sheshi do përfaqësojë të gjitha trevat shqiptare, qoftë me pemët që do të mbillen, qoftë me gurët me të cilët do të shtrohet sheshi.
“Sot po fillojmë me pjesën qendrore, e cila kryesisht është e shtruar me pllakë dhe gurë dekorativë nga gjitha trevat shqiptare. Në vjeshtë do të nisim parkimin nëntokësor, me kapacitet për 300 makina”, u shpreh Veliaj. Ai ka njoftuar se zbatimi i këtij projekti mbron çdo pemë ekzistuese në shesh, e cila do të zhvendoset në sheshin e ri. “Dua të garantoj qytetarët që këtu nuk do të preket asnjë pemë, përkundrazi do të shtojmë edhe 5 mijë pemë të tjera. Disa nga sheshet do të ngjajnë me minikopshte botanike. Për pemët që janë vendosur në sektorin ku do të ketë pllaka guri, do të zhvendosen me gjithë dheun ku janë mbjellë për t’u mbjellë në zona të tjera të Tiranës, për t’u siguruar që nuk humbasim asnjë nga pemët ekzistuese, por përkundrazi shtojmë edhe 5 mijë të tjera”, tha Veliaj.
Ai bëri të ditur gjithashtu se punimet do të përfundojnë brenda afateve të caktuara, ndërsa ka kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve që të përdorin sa më pak makinat dhe të shmangin në maksimum lëvizjet në qendër të Tiranës. “Dua të falenderoj të gjithë qytetarët për durimin sepse Tirana është shtëpia jonë e madhe, kurse sheshi “Skënderbej” është dhoma jonë e ndenjes. Sigurisht, do të ketë pak “rrëmujë”, por që të gjithë do të kemi mirëkuptimin e nevojshëm”, u shpreh Veliaj. “Unë si qytetar do të mundohem të jap kontributin tim. Do të vij më shpesh në punë me biçikletë. Fatmirësisht kemi shumë ditë me diell, ku do të na duhet që të gjithë të jemi pak më ekologjik, edhe të shëndetshëm për veten, por edhe të japim një ndihmë konkrete, duke evituar trafikun në qendër të Tiranës”, shtoi ai.
Duke i kërkuar ndjesë qytetarëve për vonesat e shkaktuara në këtë ditë të parë të punimeve, kryebashkiaku theksoi se sa i përket trafikut ai do të ketë një lehtësim të ndjeshëm pasi shumë shpejt do të vihet në punë edhe pjesa e mbetur e Unazës së Vogël. “Lajmi i dytë i mirë sot është se sapo u miratua shpronësimi për nënstacionin elektrik në Unazën e Vogël, nyja e fundit që kishte mbetur pa zgjidhur pas prishjes së ish INSIG-ut. Me shpronësimin e sotëm, brenda 5 ditëve do të fillojmë zhvendosjen e nënstacionit, në bashkëpunim me OSHEE-në dhe pastaj Unaza e Vogël do të jetë totalisht në dispozicion të atyre që kanë punë në qendër”, theksoi kryetari i bashkisë.
Faza e parë e punimeve të zbatimit të projektit të “Rikualifikimit Urban të Sheshit Skënderbej” përfshin punime në sheshin kryesor, ku do të fillohet me kompletimin e sistemit të kanalizimit të ujërave të shiut, si dhe atë të shatërvanëve dhe më pas do të vazhdohet me nënshtresat dhe shtresën përfundimtare të gurëve nga gjithë trevat shqiptare. Gjithashtu, do të punohet dhe në zona të tjera që janë të përfshira në këtë fazë, si ajo rreth Muzeut Kombëtar, nga ku dhe do të fillojnë punimet; ajo përpara Pallatit të Kulturës, si dhe përpara Bankës së Shqipërisë.
Në zonën e Muzeut Kombëtar do të bëhet rikonstruksioni total i xhokolit të ndërtesës, rikonstruksioni i shkallëve hyrëse në Muzeun Kombëtar, si dhe do të punohet në lulishtet përreth Muzeut të cilat do të shndërrohen në kopësht botanik. Puna do të vazhdojë me rikonstruksionin e shkallëve të Pallatit të Kulturës dhe platformave hyrëse të Teatrit të Operas dhe Bibliotekës Kombëtare. Kjo fazë do të ndiqet nga zbatimi i punimeve të projektit të parkimit nëntokësor që do të fillojë në fund të muajit tjetër./a.m.