Ish-deputeti i Partisë Socialiste Koço Kokëdhima ka reaguar pas zërave se ai po përpiqet të ngrejë struktura paralele në në qarkun e Vlorës. Ky lajm u përhap në disa media ndërkohë zërat u përforcuan pas një interviste të deputetit Fatmir Toçi. Kokëdhima në një reagim për mediat shkruan se media të segmenteve të caktuara brenda PS-së po e sulmojnë atë me pa të drejtë. Ai ka folur edhe për prnainë në një mbeldhje të Asamblesë së Vlorës, ku kryetari i FRESSH u largua në mënyrë demonstrative së bashku me 3 vartës të tij.
Ja deklarata e Kokëdhimës:
“Media pranë segmenteve të caktuara brenda Partisë Socialiste kanë nisur ditët e fundit një sulm frontal kundër ish-deputetit Koço Kokëdhima. Fillimisht sulmet nisën me shkrime ku citoheshin burime anonime nga Delvina dhe sot kanë vijuar me krijimin e një skene teatrale në Asamblenë Socialiste të Vlorës duke thërritur edhe mediat që të jenë të pranishme. Në momentin që Kokëdhima ka marrë fjalën, kryetari i FRESSH të Vlorës, Klajdi Myzaferaj, njëkohësisht edhe Drejtori i Qendrës së Formimit Profesional në Vlorë, ka inskenuar largimin e tij dhe të tre vartësve të tij nga salla. Myzaferaj është shprehur se nuk dëshiron që të dëgjojë Kokëdhimën dhe ka kërkuar që edhe të pranishmit e tjerë të dalin nga salla. Por përveç tre vartësve të tij, asnjë person tjetër nuk ka dalë nga salla. Më pas Asambleja Socialiste e Vlorës ka vijuar punimet e saj normale me fjalën e Kokëdhimës.
Në këtë pikë Asambleja Socialiste e Vlorës ka kërkuar që të jetë vetë baza ajo që do të propozojë kandidatët për deputetë dhe jo të emërohen persona nga Tirana, të cilët nuk kanë lidhje me zonën. Anëtarët e Asamblesë Socialiste të Vlorës kanë deklaruar që duhet të dëgjohet edhe zëri i tyre sepse vetëm në këtë mënyrë mund të arrihet një përfaqësim sa më i mirë në parlamentin e ardhshëm si dhe garantohet shtimi i votave./a.m.