Fitorja e Shqipërisë përballë Maqedonisë ka gjetur pasqyrim të gjerë sot në mediat ndërkombëtare, të cilat e kanë vënë theksin te fakti që ndeshja u luajt në dy ditë pas ndërprerjes së mbrëmshme për shkak të shtrëngatës.
Agjencia kombëtare maqedonase e lajmeve, MIA, e pasqyron lajmin në edicionin anglisht me këtë titull: “Maqedonia pëson gol në fund, mundet nga Shqipëria në kualifikueset e Botërorit”.
Ndërkaq, mediat sportive italiane dhe ato spanjolle i kanë kushtuar rëndësi kësaj përballjeje edhe për faktin që dy ekipet janë pjesë e Grupit G, së bashku me Italinë dhe Spanjën, shkruan panorama.
E përditshmja “Corriere della Sera” e ka si kryelajm me titull: “Çfarë fitore Shqipëria!”. Dhe më tej: “Duhej të gjente një gol në 14 minuta që mbeteshin nga loja, dhe ia doli kur mbetej vetëm një: e shënoi Balaj me kokë duke shfrytëzuar një goditje dënimi të ‘peskarezit’ Memushaj dhe kështu Shqipëria mundi 2-1 Maqedoninë duke u ngjitur në krye të Grupit G të kualifikueseve të Botërorit, me pikë të barabarta me Spanjën dhe Italinë”.
“Sportmediaset” del me titullin “Shqipëria rikthehet në fushë dhe fiton për 14 minuta”; “Gazzetta dello Sport” shkruan: “De Biazi bën festë në të 89-n dhe mban hapin e Italisë”, kurse “Sky Sport” në edicionin anglisht ka titullin: “Shqipëria kalon Maqedoninë në të 90-n”.
Në Spanjë, “Marca” ka si titull kryesor: “Shqipëria mund Maqedoninë në sekondën e fundit”, ndërsa “AS”: “Shqipëria mund Maqedoninë 2-1 në ndeshjen e shtyrë”.
BBC e pasqyron lajmin me titullin: “Shqipëria mposht Maqedoninë pas shtyrjes 15-orëshe”; në Gjermani “Bild” shkruan: “Ndeshja e shtyrë, Shqipëria mund Maqedoninë”, kurse “Blick” në Zvicër ka si titull: “Shqipëria i shpëton lakut. Fitore në ndeshjen “dyditore” ndaj Maqedonisë”.